Aktualitet

Sulmohet me armë Policia e Kosovës, vritet një efektiv në Leposaviç, plagoset një tjetër

Një efektiv i policisë së Kosovës ka humbur jetën teksa një tjetër ka mbetur i plagosur si pasojë e një sulmi të armatosur që ka ndodhur në fshatin Banjska të Leposaviqit.

Lajmi është dhënë nga vetë kryeministri Albin Kurti, i cili përmes një postimi në rrjetet sociale shkruan se ngjarja ka ndodhur rreth orës 03:00 të mëngjesit, teksa të shtënat me armë vijojnë të jenë active në zonë.

Sipas Kurtit, autorët e këtij krimi të urryer e terrorist janë të maskuar dhe të armatosur rëndë, teksa premtoi se Policia e Kosovës do të ruajë qytetarët pa dallim dhe sovranitetin.

“Rreth orës 3 të mëngjesit sot, në fshatin Banjska të Leposaviqit, është sulmuar policia e Kosovës me ç’rast është vrarë një polic i Kosovës dhe një tjetër është plagosur. I vrari është polic i rendit me gradën rreshter, kurse i plagosuri është pjesëtar i policisë kufitare. Në këto momente ende vazhdojnë gjuajtjet me armë zjarri të kalibrave të ndryshëm mbi policinë tonë. Sulmuesit janë profesionistë me maska e të armatosur edhe me armë të rënda.

Ne e dënojmë këtë sulm kriminal e terrorist. Krimi i organizuar me mbështetje politike, financiare dhe logjistike nga Beogradi zyrtar po e sulmon shtetin tonë. Në këtë betejë ne mbrojmë dhe zbatojmë ligjin, mbrojmë dhe ruajmë qytetarët pa dallim dhe Kosovën e pavarur. Kriminelët ekzekutorë dhe urdhërdhënësit e tyre do të dështojnë, do të kapen, gjykohen e dënohen”, shkruan Kurti.

Policia e Kosovës ka njoftuar familjen e policit të vrarë A.B. teksa efektivi i plagosur është jashtë rrezikut për jetë.

/a.r

#Sulmohet #armë #Policia #Kosovës #vritet #një #efektiv #në #Leposaviç #plagoset #një #tjetër

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button