A e ka ndryshuar SHBA politikën e saj ndaj Shqipërisë –

Nga Fitim Zekthi
Është e qartë, u bë shumë më e qartë dje në Mynih nga zëvendës presidenti J D Vance, se SHBA do të jenë gjithnjë e më pak të pranishme në Europë, se mbështetja për NATO-n do jetë gjithnjë e më e zbehtë, se BE-ja konsiderohet nga SHBA si një organizëm globalist që bie pak a shumë ndesh me filozofinë e qeverisë së re maerikane. Zëvendës-presidenti J D Vance tha qartë se përkrahin dhe do të përkrahin ato parti që kërkojnë forcim dhe mbyllje të kufijve, parti që duan të përzënë emigrantët, parti që nuk e shohin Rusinë si një kërcënim për Europën, parti që nuk mendojnë se ajo që bëri Putin në Ukrainë nuk është një agresion por një provokim i Europës dhe i SHBA-së etj. J D Vance tha gjithashtu disa të vërteta të rëndësishme në lidhje me mënyrën se si Europa është i qasur lirive të shprehjes dhe lirive politike. Ai tha se ka patur prekje dhe cënim të lirive fetare, të lirive të besimit dhe mori si shembull një rast flagrant në Angli ku Smith, një qytetar anglez që po lutej 50 metra larg një klinike aborti u dënua me gjobë pasi u konsiderua se po cënonte ata që duan të abortojnë.
Gjykatat në Angli dhe Skoci kanë marrë edhe në raste të tjera masa të tilla. Britania ka miratuar ligje që i shtyn ata të protestojnë por edhe ata që luten në qetësi deri në 150 metra larg klinikave të abortit. Padyshim që kjo është një shkelje serioze. J D Vance tha gjithashtu se ka patur raste kur është tentuar të mbyllen media on line dhe kjo është një cënim i lirisë. Në fakt ka patur raste përpjekjesh për mbyllje të mediave që duket se përhapin lajme ksenofobike apo lajme që përcillen nga Rusia për interes të Rusisë. Janë mbyllur gjithashtu edhe media dhe sinjale të televizioneve ruse. Këtu ka një problem sepse mediat ruse përhapnin lajme të cilat propagandonin sulmin në Ukrainë si sulm për të mbrojtur liritë.
Sigurisht që mund të ketë patur dhe patur abuzime në dëm të lirive të medias ku media konservatore mund të jenë mbyllur ose vënë në vështirësi. Pra, tek sulmi ndaj Europës se ajo ka mbyllur media J D Vance bëri mirë që preku çështjen e prekjes së qëndrimeve konservatore por sigurisht që nuk mund të mbrohet liria e mediave proruse apo e mediave pronaziste. Zëvendës-presidenti tha se Europa nuk mund të burgosë opozitën dhe e kishte fjalën kryesisht për një lider të AFD-së, Björn Höcke, i cili është dënuar sespe ka përdorur naziste dhe vlerësime për nazimin. J D Vance e kishte fjalën edhe për Maximilian Krah një tjetër politikan i AFD që ka probleme me gjykatat sepse ka mbrojtur Hitlerin gjithashtu. J D Vance sulmoi Europën dhe tha se ajo nuk mund të anulojë apo pengojë opozitën, nuk mund të zhbëjë zërin e njerëzve dhe votën.
Ai e kishte fjalën për ratsin rumun kur Gjykata Kushtetuese anuloi zgjedhjet dhe fitoren e Geirgeskut sepse sipas gjykatës Rusia me anë të mediave të shumta on-line dhe trolleve të saj bëri të mundur që ai të fitonte. Shkurt, J D Vance qartësoi pozicionin e ri të një SHBA-je që nuk do të jetë më mbrojtësi kryesor i Europës, të një SHBA-je që do të përkrahë ideologjikisht forcat e ekstremit sidomos AFD-në, kryetaren e të cilës vetë Vance e takoi në Mynih. Për shumë shqiptarë, për ata që mendojnë se ne jemi në qendër të botës fjalimi i J D Vance ishte vetëm për Shqipërinë, për opozitën dhe për kryetarin e PD.
Në fakt, ai kishte në qendër AFD-në, Anglinë, Gjermaninë, Rumaninë, Brukselin. Në fakt fjalimi ishte në thelb një lajm jo shumë i mirë për shqiptarët sepse në pamje të parë do të ketë më pak Amerikë në Europë dhe në punët e Europës, do të ketë një lehtësim të marrëdhënieve të SHBA-së me Rusinë dhe për pasojë një Rusi më me ndikim në çështje të Ballkanit apo Europës Lindore. Pra, nuk ka ndonjë vend për entuziazëm të madh tek ne si shqiptarë dhe tek opozita në veçanti për qëndrimin e ri amerikan sidomos nga ana e opozitës e cila shpreson që administrate e re amerikane të ndihmojë PD-në të fitojë zgjedhjet.
Në qoftë se Amerika do të jetë më pak në Europë atëherë ajo me siguri që nuk do të ketë një fokus shumë të madh tek Shqipëria. Kjo është e para. E dyta ka të bëjë me luftën që po ndodh në SHBA mes republikanëve dhe demokratëve, luftë nga e cila shumë njerëz në Shqipëri veçanërisht në opozitë shohin mundësinë që opozita te ne të ndihmohet të vijë në pushtet. Qeveria e re amerikane ka ndëreprerë çdo financim dhe çdo përkrahje për politikat DEI (Diversitet, barazi dhe gjithëpërfshirje). Këto politika kohët e fundit më së shumti kishin të bënin me promovimin dhe mbështetjen e komuniteteve të LGBTQ dhe me projekte të tjera brenda filozofisë së Ëoke-ismit.
Ndërprerja e mbështetjes së këtyre politikave (që është një gjë shumë e mirë) ka bërë që të pezullohen veprimtaritë e disa agjensive qeveritare dhe sidomos të USAID-it. Pezullimi i USAID-it ka pezulluar ndihmnën edhe për politikat jo DEI, për politikat që dërgojnë ilaçe në Afrikë, që përkrahin luftën ndaj krimit në Kolumbi apo luftën kundër urisë në Etiopi etj. Pezullimi ka ndërprerë edhe mbështetjen për SPAK apo organet e tjera të reformës në drejtësi në Shqipëri. Kjo bëri që shumëkush në Shqipëri të shprehet se SHBA i hoqi përkrahjen SPAK-ut apo gjykatave sepse medemek ato qënkan ngritur nga Soros-i. SHBA e ka bërë të qartë se çdo program i USAID-it dhe i qeverisë amerikane do të rikthehet me përjashtim të atyre që kanë të bëjnë me DEI. Është vetëm një periudhë auditimi.
Roli i ri më pak i rëndësishëm i SHBA-së në Europë ka të bëjë vetëm me sigurinë. SHBA nuk do të jetë më garantuesi i vetëm i sigurisë së Europës. Europa duhet të investojë në mbrojtje por jo se SHBA do të lerë mënjanë politikat e saj të deritanishme. Për aq sa SHBA-të do të jenë në botë dhe në Europë ato do të jenë në përkrahje të integrimit të Shqipërisë në BE, në përkrahje të dialogut Serbi-Kosovë dhe në përkrahje të pavarësisë së Kosovës, do të jenë në përkrahje të SPAK dhe luftës ndaj krimit dhe korrupsionit.
Koha do të tregojë se mbështjetja e SHBA-së do të jetë e njëjtë ndonëse qeveria dhe opozita duan që SHBA të mos e përkrahë më. Edhe raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit, raporti i përvitshëm ruante të njëjtën gjuhë, të njëjtën strukturë dhe të njëjtin anagazhim. Ai fliste për korrupsion, trafik, pastrim parash dhe krim. Në atë raport madje përmendej edhe çështja e kryetarit të opozitës dhe e të afërmve të tij si një çështje e pastrimit të parave.
Sado që të thuhet se raporti është hartuar nga administrata e vjetër; ai raport është firmosur nga sekretari i shtetit Rubio, është miratuar nga sekretari Rubio. Shkurt, nuk është lajm i mirë një rol më i pakët i SHBA në Europë, nuk ka asnjë shenjë se SHBA do të ndërpresë përkrahjen për integrimin e Shqipërisë dhe pavarësinë e Kosovës dhe nuk ka asnjë shenjë se SHBA nuk do të përkrahin SPAK-un, luftën ndjaj krimit dhe korrupsionit të politikanëve të lartë.
#ndryshuar #SHBA #politikën #saj #ndaj #Shqipërisë
Java News