Fluks në dalje në Portin e Durrësit, largohen emigrantët

24 orët e fundit, në portin e Durrësit është regjistruar një fluks i lartë pasagjerësh dhe mjetesh në dalje. 15 ditëshi i dytë i muajit gusht përkon përherë me kthimin e emigrantëve në vendet e tyre të punës, por edhe kthimin në vendet e tyre të pushuesve dhe turistëve që zgjodhën vendin tonë për të kaluar disa ditë pushimesh.
Duke nisur nga mbrëmja e së premtes deri pasditen e së shtunës janë larguar nga porti i Durrësit në drejtim të brigjeve italiane (Bari dhe Ankona) 5 tragete me 7962 pasagjerë dhe 2212 automjete.
Nga ana tjetër në Durrës kanë mbërritur gjatë ditës së sotme 2 tragete nga Bari dhe 1 nga Ankona me 1610 pasagjerë dhe 520 automjete. Siç duket qartë nga shifrat, diferencat në hyrje-daljet në pikën më të madhe kufitare të vendit tonë janë të ndjeshme.
Ndërkohë 2 tragete të tjerë priten të nisen sërish mbrëmjen e sotme nga Durrësi drejt portit të Barit duke shtuar edhe më shumë numrin e udhëtarëve dhe mjeteve në dalje.
Kujtojmë se gjatë muajit korrik, referuar të dhënave zyrtare të Autoritetit Portual Durrës, rreth 123 mijë pasagjerë dhe mbi 39 mijë automjete kanë udhëtuar nga/ drejt portit të Durrësit.
#Fluks #në #dalje #në #Portin #Durrësit #largohen #emigrantët