VIDEO / 4-vjeçari i nënshtrohet një operacioni unik në QSUT, Koçiu: Arritje e mjekësisë shqiptare

Një tjetër sukses është shënuar nga ekipi i mjekëve kirurgë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, ku për herë të parë në Shqipëri është kryer një ndërhyrje e veçantë në një rast pediatrik.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu në një postim në rrjetet sociale bën të ditur se “nën drejtimin e Prof. Dritan Alushanit, një 4-vjeçar i është nënshtruar një ndërhyrjeje të veçantë që kryhet për herë të parë në një rast pediatrik në Shqipëri, ku bëhet zmadhimi i vezikes urinare me ureter në një rast unik, me të njëjtin ureter që bëhet dhe reimplantimi. Në këtë mënyrë fëmija ka mundësinë që trakti urinar të funksionojë në mënyrë normale pa pasur nevojë të kateterizohet vazhdimisht. Gjendja postoperatore e fëmijës është shumë e mirë dhe po funksionon normalisht”, thekon Koçiu.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, e ka cilësuar këtë një arritje të rëndësishme për mjekësinë shqiptare, duke përgëzuar ekipin mjekësor të përbërë nga dr. Dritan Alushani, dr. Amarold Balliu, dr. Aulona Haxhirexha, dr. Labeat Haxhirexha dhe infermierët e sallës e të shërbimit.
Në videon e publikuar nga ministrja, familjarët e djaloshit bëjnë të ditur që vogëlushi ka shfaqur problem që në moshën 5 mujore me shkarkimin e urinës. “Një valvulë e veshkës së majtë rezultoi me probleme”, tha familjari.
“janë bërë disa ndërhyje këtu, më pas e dërguam në Turqi. Rasti i parë na daoli me rendiment, në rastin e dytë na kanë bërë dëm, pasi i hoqën veshkën. U detyruam erdhëm këtu dhe me të njëjtin doktor që ishte ndjekur që në fillim prej tre vite e gjysëm dhe kemiu patur rezultat të mirë”, tha familjari.
Mjeku shprehet se djaloshi është paraqitur menjëherë pas lindjes në pediatrinë e QSUT. “Pati një anormali të rënë të traktit urinar. Pas analizave u vu re se veshka e majtë ishte pa funksion. Ne na duhej të ruhej i gjithë kanali i urinës edhe veshka në mënyrë që ti shfrytëzonim më tutje për të bërë zmadhimin vezikal, që do të shërbente që në të ardhmen fëmija të kishte një formë funksionaliteti, pa nevojën e kateterizimit vazhdimisht”, tha mjeku Dritan Aliu.
Sipas mjekut, “trajtimi në Turqi ishte joadekuat, pasi u vendos heqja e kanalit të urinës dhe veshkës dhe ne ngelëm para opsionit që nuk kishim mundësi se me çfarë ta zëvendësonim”.
“Është një operacion i bërë për herë të parë, është një ndërhyrje e rrallë, edhe mbase dhe në botë. Ideja është që në këtë mënyrë, duke bërë zmadhimin vezikal, me ureterin, të jep mundësi që ai të urinoi vetë, pa patur nevojë që të ndihmohet gjithë jetën me kateterizim”, tha mjeku Aliu.
#VIDEO #4vjeçari #nënshtrohet #një #operacioni #unik #në #QSUT #Koçiu #Arritje #mjekësisë #shqiptare
Java News