Kjo është Malvina, doktoresha që ‘nuk’ përbën lajm

Nga Doreada Mio
Kur ke miq mjekë nuk është çudi që kafen ta pish në ambiente spitali, ndërkohë që i pret të dalin nga salla e operacionit apo të jenë shërbim roje.
Kështu me ndodhi edhe një mbrëmje në një spital në jug të vendit. Për të vrarë kohën, herë hidhja një sy nga televizioni i hapur pa zë, ku në një program te ndjekur masivisht shfaqeshin personazhe të njohur gjithë shkëlqim, e herë hidhja sytë nga njerëzit e pakët a pacientët që lëviznin korridoreve e dhomave.
Ajo që tërhoqi vëmendjen time ishte një vajzë/ grua e re me uniformë personeli mjekësor që ushqente me qumësht gjiri një foshnje të vogël fare.
Mendimi i parë që më erdhi ishte : “I është dashur të dalë në punë dhe ja kanë sjellë bebin ta ushqejë. Si natyrë kurioze që jam, por dhe si çdo shqiptar që nuk sheh punën e vet ju afrova dhe e pyeta: Punon në spital? Sa e ke bebin?- jo thotë nuk është i imi, unë e kam djalin më të madh!
Jam mjeke anesteziste dhe ky është bebi i pacientes time qe u operua nga kolecista (tëmthi) dhe nuk i jep dot fëmijës për të pirë se është nën efektin e lëndëve të narkozës ende dhe disa orë.
U emocionova! Në ato çaste mu duk shumë e bukur! Ngrita sytë sërish nga televizori, ku një çift ishin shtrirë në një vaskë plot me flluska e shkumë, ndërsa përpara meje, pa kamera, pa drita, pa klikime, në një dhome spitali po luhej spektakli më i lartë i dashurisë njerëzore.
Ju prezantoj Malvinën doktoreshën gjirokastrite që “nuk” përbën lajm. Në botën e sotme, ku teknologjia etja për famë e mungesa e empatisë janë pjesë e përditshmërisë, duhet të kujtojmë se këto veprime të vogla mbajnë ende zgjuar njerëzoren brenda nesh.
#Kjo #është #Malvina #doktoresha #që #nuk #përbën #lajm
Java News