Edi Rama dhe shija e shtetit të ri

Kjo nuk është një shije e lehtë për t’u pranuar, sidomos për dikë që ka besuar gjithnjë në parimin e ndryshimit politik si oksigjen i domosdoshëm për demokracinë funksionale.
Historia politike e shekullit të kaluar është e mbushur me shembuj se si pushteti i zgjatur kthehet në një vetëkënaqësi burokratike, në një arrogancë të sistemuar, në një qeverisje që ushqehet më shumë nga frika se nga vota.
Kam lexuar pjese nga historia politike e Perandorisë Austro-Hungareze, që u fundos nga mosndryshimi, tek partitë e vjetra italiane që e çuan vendin drejt krizës së viteve ’90, gjithmonë është dukur e qartë se qëndrimi i gjatë në pushtet sjell deformim të shtetit.
Por sot, ajo çfarë ndodhi me prezantimin e Edi Ramës në “Shqipërinë 2030” nuk është as zhdukje e frikës, as harresë e historisë, por një përballje e sinqertë me pyetjen më të vështirë të politikës moderne: A mundet koha e gjatë në pushtet të mos jetë një mallkim, por një mundësi për rilindje të thellë të shtetit?
Ajo që Edi Rama bëri sot nuk ishte thjesht një prezantim programi elektoral, por një akt performativ politik, një skenografi e mirëndërtuar, një rrëfim i vendit që po del nga errësira e tranzicionit dhe po sheh veten në pasqyrën e Evropës.
Në një studio virtuale, me një estetikë që kujtonte më shumë një prezantim vizionar të një CEO-je të teknologjisë se sa një miting tradicional, ai krijoi një shije të re për Shqipërinë.
Një shije që nuk ngjan me nostalgjinë e të shkuarës, as me stërzgjatjen e premtimeve boshe, por me një ide konkrete. Shqipëria mund të jetë moderne, efikase, e pasur, dhe më në fund evropiane.
Çdo grafikë, çdo fjalë, çdo detaj i atij prezantimi fliste për një shtet që nuk është më i lënë pas dore, por një organizëm që punon, që matet, që synon, që lëviz.
Dhe pikërisht aty lind dilema, A është e mundur që kjo të jetë autokraci në zhvillim, kur ajo që prodhon është më shumë shpresë se frikë?
Po, Edi Rama ka mbi shpatulla tri mandate dhe kërkon të katërtin.
Po, ai ka ndërtuar një kontroll mbi administratën, mbi diskursin publik, mbi jetën politike.
Por kur e sheh me vëmendje prezantimin e tij, nuk sheh diktatin e zakonshëm të pushtetit, por një formë të re të qeverisjes që kërkon të bindë jo me frikë, por me përparim.
Përballë kësaj, kritika tradicionale humbet peshë dhe mbetet pezull.
Çfarë vlere ka të kërkosh rotacion për hir të rotacionit, kur ai që është në pushtet ofron një vizion të artikuluar, të matshëm dhe të afërt me horizontin evropian që shqiptarët kanë pritur për dekada?
Madje edhe çështjet e korrupsionit, që janë reale dhe po trajtohen nga SPAK, nuk arrijnë ta njollosin këtë pamje të përgjithshme, sepse ajo që shfaqi sot është më shumë se një qeveri, është një ide e re për Shqipërinë.
Po, është e vërtetë që çdo sistem ka raste të korrupsionit, dhe nuk ka asnjë qeveri në botë që nuk është përballur me akuza. Por përvoja evropiane na tregon se forca e një shteti demokratik nuk matet me mungesën e skandaleve, por me ekzistencën e institucioneve që i adresojnë ato.
Një ide që nuk është as mit, as mashtrim, por një projekt që duket se po ecën.
Në këtë pikë, ajo që në mendimin klasik politik do të ishte një sinjal alarmi , siç janë mandatat e gjata , kthehet në një sinjal stabiliteti.
Sepse nëse i rikthehem katër frikërave themelore që më kanë bërë ta kundërshtoj një pushtet kaq të gjatë:
Së pari, kontrolli i burokracisë mund të kthehet në armë të partisë, por çfarë ndodh kur ajo burokraci modernizohet dhe efikasizohet si pjesë e vizionit të një shteti evropian.
Së dyti, fuqia e ndikimit në vendimmarrje priret të centralizohet, por çfarë ndodh kur centralizimi sjell rezultate të prekshme në rritjen e pagave, në reformimin e arsimit e shëndetësisë.
Së treti, demokracia rrezikon të zbehet në spektakël, por çfarë ndodh kur spektakli i komunikimit politik është në vetvete edukues, orientues dhe e përçon qartë drejtimin strategjik.
Dhe së katërti, frika nga autokracia, por çfarë ndodh kur qeverisja nuk ushqehet nga frika, por nga një estetikë e re e shtetit dhe nga një ide gjithëpërfshirëse zhvillimi.
Në fund të ditës, demokracia nuk është një ritual i shenjtë që përsëritet mekanikisht çdo katër vjet, por një kërkim i vazhdueshëm për mënyrën më të mirë për të përfaqësuar dhe përmirësuar jetën e qytetarëve.
Dhe sot, Edi Rama tregoi se një mandat i katërt nuk është domosdoshmërish një deformim i demokracisë, nëse e mbush me përmbajtje, ai mund të jetë edhe kulmi i saj.
Sepse ndoshta nuk është kohëzgjatja e pushtetit që e vendos autokracinë, por boshllëku i vizionit.
Dhe ky prezantim, me gjithë rezervat e zakonshme që politika kërkon të ruajë, nuk kishte boshllëk.
Kishte një Shqipëri që fliste me zë të sigurt për të ardhmen e vet.
Dhe në këtë Shqipëri të re që u shfaq sot, kishte diçka që nuk ndodh shpesh në politikë: kishte shije.
Shija nuk është vetëm estetike, por kulturore, morale, teknologjike dhe institucionale.
Është shija e një qytetari që e ndien veten për herë të parë pjesë e një strukture që punon për të, jo kundër tij.
Është shija e një shteti që nuk e frikëson, por e fton të marrë pjesë.
Është shija e Bashkimit Evropian, por e përkthyer në gjuhën e një vendi të vogël që ka vendosur më në fund të jetë i madh në vizion.
Është shija që vetëm dikush që e ka ndërtuar marrëdhënien e tij me Shqipërinë përmes artit, simbolit dhe reformës si Edi Rama, mund t’ia japë.
Prandaj dilema ime sot nuk është më a duhet të ketë një mandat të katërt.
Por a ka kush tjetër që mund t’ia japë Shqipërisë këtë shije.
#Edi #Rama #dhe #shija #shtetit #të
Java News