Aktualitet

Aksident në Itali/ Autobusi turistik përplaset me murin mbrojtës, përfundon në ujërat e limit Po

Një autobus turistik ka rënë nga një breg i lumit Po, pranë Piazza Vittorio Veneto, në qytetin e Torinos. Mjeti ka përplasur një mur mbrojtës, ka rënë në lumë dhe është zhytur pjesërisht në ujë.

Brenda autobusit ndodhej vetëm shoferi, i cili është nxjerrë nga ujërat pa ndjenja. Pavarësisht përpjekjeve të gjata për ta shpëtuar, ai është shpallur i vdekur.

Në vendngjarje kanë mbërritur forcat zjarrfikëse, të cilat kanë ndërhyrë edhe me një helikopter. Vijojnë kërkimet për të verifikuar nëse ka pasur persona të tjerë në bord ose kalimtarë të përfshirë në aksident.

Ngjarja ka ndodhur në zonën e Murazzit, shumë pranë qendrës historike të qytetit. Autobusi i përkiste kompanisë Di Carlo Tour me seli në Campobasso. Sipas hetimeve të para, autobusi po ecte mbrapsht, ndoshta sepse autisti kishte gabuar rrugën ose kishte pësuar një problem shëndetësor gjatë drejtimit të mjetit.

Gjatë lëvizjes së tij, autobusi ka goditur tre kalimtarë, por asnjëri prej tyre nuk është në gjendje të rëndë.

Filippo Camedda, pronari i një lokali pranë Murazzit, ka qenë dëshmitar i aksidentit dhe ka treguar:

“Pashë një autobus që po ecte me një shpejtësi të çmendur. U përplas me një balustradë prej guri, mbeti pezull për një moment dhe më pas ra në lumë. Gjithashtu, goditi një grua, por fatmirësisht vetëm lehtësisht dhe pa i shkaktuar dëmtime të rënda”.

Ai shtoi se disa persona nga një klub kanotazhi afër lumit kanë ndërhyrë menjëherë për të ndihmuar:

“Vrapuam me një jelek shpëtimi. Ndërkohë, disa djem nga klubi i kanotazhit u hodhën në ujë. U hodh një çekiç, ata thyen xhamin e autobusit dhe arritën ta nxjerrin autistin. Nga sa pamë, brenda autobusit nuk kishte të tjerë pasagjerë”.

Sipas dëshmitarëve, kanotierët tentuan ta rianimonin autistin për rreth 30 minuta, ndërsa prisnin mbërritjen e shërbimeve të emergjencës. Zjarrfikësit ishin të parët që arritën në vendngjarje, duke bllokuar hyrjen në zonën e aksidentit, pas tyre mbërriti ambulanca, por fatkeqësisht autisti nuk ia doli dot.

#Aksident #në #Itali #Autobusi #turistik #përplaset #murin #mbrojtës #përfundon #në #ujërat #limit
Java News

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button