Shkëlqimi dhe rënia e Luçiano Boçit!

Nga Alesia Balliu*
Karreriara humbëse e Luçiano Boçit nuk mban vulën e 2021, përkundrazi ka filluar qysh ditën e parë të angazhimit të tij politik në Partinë Demokratike.
Shkëlqimi i yllit të gjetur nga disa elementë të strukturës së degës së Partisë Demokratike Elbasan në vitin 2007 thjesht solli mes demokratëve aty klane e përplasje që do shoqëronin jetën publike e politike në qytet deri më sot!
Hijet politike të familjes Boçi nuk u toleruan asnjëherë nga qytetaria elbasanase, e cila gjithmonë dënon në heshtje atë që do t’i imponohet asaj me forcë, fodullëk e gënjeshtra.
Kur them që humbja e Boçit filloi qysh në vitin e largët tashmë, 2007 ku Luçiano Boçi humbi zgjedhjet për kryetar bashkie me Z. Qazim Sejdini!
Pas një mandati të Z. Ardian Turku, Sali Berisha përjashton Turkun nga rikandidimi duke sjellë Boçin pa asnjë kontribut politik në PD. Përkundrazi Boçi njihej në Elbasan si i majtë për shkak të një angazhimi të tij në FRESH.
Humbja e parë iu shit demokratëve, si vjedhje, me diferencë të vogël por që në fakt 2 kuti votimi nuk u hapën fare, dhe gojët e liga thonë që votat aty rrisnin diferencën e Boçit.
Nëna Parti, asokohe në pushtet e mbrojti Boçin e nuk bëri asnjë analizë humbje.
Fitorja e 2009 në qarkun e Elbasani nuk i atribuohet Boçit si kryetar PD, por Z. Basha i cili udhëhoqi fushatën në këtë qark e duke futur një frymë të re në fushatë, atë derë më derë.
Në 2011, Luçiano Boçi pranoi një aleancë të fëlliqur me LSI duke sjellë një socialist si kandidat për Bashkinë Elbasan, moment ky që parapriu greminën e PD në Elbasan.
Që nga ai moment Elbasani do ti mbetet socialistëve në pushtetin vendor.
Asnjë përgjegjësi personale e kryetarit të PD Elbasan, Z. Boçit.
Vjen 2013 e një listë burrash të fortë, e thelloi humbjen në Elbasan, nga 7 në 5 mandate.
Pas këtij momenti, ku analiza e humbjeve nuk e gjeti fajtorin, por fajtorët u kënaqën me pushtetin individual, në Elbasan fillon një luftë më e egër klanesh në PD.
Boçi u largua nga drejtimi i PD, por influenca e tij si deputet vazhdoi të diktojë në Elbasan përçarjen e humbjet e njëpasnjëshme.
Boçi shfaqej në qytet veç në kohë fushatash se pritjet personale i bënte qoshkave të ullishtes së Elbasanit duke u sjellë me fodullëk me demokratët që të pafajshëm nisën betejat e mitingjeve.
Asnjë angazhim në Elbasan veç “qokave” të veta deri në 2015 ku për Bashkinë Elbasan garoi sërish Z. Turku. Ai gëzonte tek shihte nga larg humbjen e tij duke mos dalë asnjë ditë në fushatë krah tij.
Rrokullisen vitet e në zgjedhjet e 2017, Boçi lufton fort të jetë i treti i listës se pushteti të pëlqen, por nuk dihet kurrë se çfarë trendi do kishte gara, pasi në Elbasan PDIU e LSI po luftonin fort e në kurriz të PD.
Përsëri Boçi nuk pati asnjë fushatë gjithpërfshirëse se numri ishte i sigurtë. Ditën e numërimit na u qarravit në Librazhd te Qifja i Peqinit se 2 deputetë e gjysëm fitonte vetë PD.
Ja kështu vit pas viti e fushatë pas fushate, aleancë pas aleance shkoi ylli i PD, Boçi i Elbasanit.
Asnjë kontribut e meritë për PD e qytetin e Elbasanit.
E keni dëgjuar ndonjëherë të shajë Lal Qazimin? Joooo..
Përkundrazi hyri mik që Lala mos paraqitej as në komisionin hetimor të inceneratorëve.
Eee ç’ bëjnë aleancat!!
E keni dëgjuar ndonjëherë të denoncojë krimin? Jooo( bënte pakte shpesh me to si në pushtet me njërën palë dhe në opozitë me palën tjetër).
E në 2021 i pakënaqur me renditjen në listë bëri pakte dhe me djallin e PS, bëri pakte edhe me krimin por bleu veç votash demokratësh.
Thyerja e listës do ta bënte Boçin zot të Elbasanit, po duket ende nuk i njeh mirë elbasanasit. Do ende dhe ca kohë….
E filloi të ëndërronte me sy hapur, nënkryetar kuvendi, kryetar i PDSH, kryeministri i ardhshëm i Shqipërisë.
Servilët e tij, më së shumti ish studentët katranjosë që kanë fituar një diplomë prej tij, shkruanin statuse glorifikimi për Luçianon.
Por e drejta vonon po nuk harron! Haka shkoi te i zoti!
2023 e ballafaqoi me sfidën e fundit politike, atë të vërtetën që e humbi me turp duke bërë pazare në kurriz të demokratëve.
Diferenca e madhe nuk ka asnjë justifikim, as përçarjen e PD se po ti mbledhesh votat e djathta për anëtar të Këshillit Bashkiak në Elbasan janë më pak se ato që ka marrë Boçi.
Pra, tej çdo aludimi Boçi ka humbur thellë, më thellë dhe se z. Turku.
Ndaj mos na flisni më për yllin në shkëlqim se nga 7 gara vetëm 1 ka fituar( edhe këtë me hatër).
Ndaj në Elbasan tani thuhet se iku dhe vapa me gushtin, ashtu siç iku dhe shkëlqimi i Luçiano Boçit.
*ish-kandidate e PD në ‘primare’
#Shkëlqimi #dhe #rënia #Luçiano #Boçit
Java News