Ndaj Serbisë kemi një komb mbi shpatulla, do të japim 120%

Myrto Uzuni është rikthyer te goli me Kombëtaren pas një kohe të gjatë. Sulmuesi shqiptar vulosi fitoren 3-0 të kuqezinjve përballë Andorrës. Pas përfundimit të ndeshjes, ai ka folur edhe për mikrofonin e “Klan Kosova”. Uzuni ka deklaruar se çelësi i suksesit ishte fakti se Shqipëria nuk e konsideroi Andorrën si një ekip më të dobët në letër. Sa i përket ndeshjes së ardhshme kundër Serbisë, sulmuesi nga Berati ka thënë se lojtarët do të kenë gjithë kombin mbi shpatullat e tyre dhe për këtë arsye do të japin 120% nga vetja për të fituar.
“Jam shumë i lumtur për golin tim. Një fitore e rëndësishme. Ekipi hyri me frymën e duhur. Kjo bëri diferencën sot, që çunat ishin të karikuar që nga minuta e parë. Afati i ndeshjeve është shumë i shkurtër. Kundër Anglisë luajtëm me lojtarë që janë yje botërorë. Edhe ne kërkojmë nga vetja jonë, por diferencat mes Anglisë dhe Shqipërisë janë të mëdha. Për ne ishte kryesore fitorja në shtëpi kundër Andorrës.
Edhe në Angli kemi mbrojtur, por nuk kemi qenë të rrezikshëm në aspektin sulmues, pasi Anglia të vendos në shumë vështirësi. Duhet të rrish me patjetër mbrapa, pasi nëse atyre i luan një kundër një, mund të pësosh edhe 4 apo 5 gola. Ndeshja kundër Serbisë? Ajo ndeshje, për të gjithë futbollistët, kemi një komb mbi shpatulla. Secili, nga unë i pari, por edhe të gjithë çunat, nuk do të japim 100%, por 120%”, ka deklaruar Myrto Uzuni./Sport Ekspres/
#Ndaj #Serbisë #kemi #një #komb #mbi #shpatulla #të #japim
SportExpress