Aktualitet

Kundër Vuçiçit, por jo kundër rrenave të regjimit të tij: studentët serbë dhe manipulimi i historisë

Nga Enver Robelli

Studentët serbë duan ta largojnë Aleksandar Vuçiqin, por jo edhe propagandën e regjimit të tij. Kjo shihet edhe në reagimin e studentëve nëpër media sociale me rastin e përvjetorit të ndërhyrjes së NATO-s më 24 mars 1999. Me asnjë fjalë studentët nuk përmendin krimet e llahtarshme të forcave serbe kundër popullit shqiptar në Kosovë.

Ata nuk duan ta dinë asgjë për varrin masiv në Batajnicë, para portave të Beogradit (me gati 1000 viktima të masakruara apo pushkatuara në Kosovë), ata nuk duan të dinë të vërtetën për kamionin me kufoma civilësh të hedhur në Danub, ata nuk duan të dinë të vërtetën për dëbimin e gati 1 milion shqiptarëve nga Kosova, ata nuk duan të dinë të vërtetën për aparteidin e Serbisë në Kosovë gjatë viteve 1990-të.

Studentët serbë po ashtu s’po duan të dinë asgjë as për rrethimin e Sarajevës nga bashkëkombësit e tyre dhe vrasjen e mbi 10 mijë njerëzve, as për gjenocidin në Srebrenicë, as për kampin me pengje në Omarska, as për përdhunimet e ekzekutimet në Vishegrad e gjetiu në Bosnjë, as për shkatërrimin e Vukovarit dhe vrasjen e pacientëve të spitalit të këtij qyteti, as për krimet në Prijedor.

Sot në orën 15:00 studentët e paskan ndërmend të tubohen para ndërtesës së shtabit të përgjithshëm të armatës dhe ministrisë së Mbrojtjes në Beograd për të “kujtuar viktimat serbe të agresionit të NATO-s”. Me këtë qasje studentët serbë tregojnë se janë kundër Vuçiqit, por jo edhe kundër manipulimit të historisë. Por a ndërtohet ardhmëria duke manipuluar të kaluarën?

#Kundër #Vuçiçit #por #kundër #rrenave #të #regjimit #të #tij #studentët #serbë #dhe #manipulimi #historisë
Java News

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button