“Agjenda e Shtëpisë së Bardhë, jo e qartë”, ish-zëdhënësi i NATO-s: Trupat e SHBA e çojnë Kosovën te Trump

Prezenca e trupave amerikane në Kosovë tërheqin vëmendjen e Shtëpisë së Bardhë për stabilitetin e atij vendi. Kështu vlerëson ish zëdhënësi i NATO-s, Jamie Shea. Në një intervistë për KosovaPress, ai thekson se megjithatë politika e administratës Trump për Kosovën nuk është ende e qartë.
“Sigurisht, prania amerikane është e rëndësishme. E dini, NATO, së bashku me Shtetet e Bashkuara dhe europianët, realizuan fushatën ajrore në vitin 1999. SHBA-ja dhe Europa punuan së bashku për të sjellë paqe në Bosnje e Hercegovinë pas vitit 1995. Dhe, sigurisht, KFOR-i ka qenë aty tashmë për më shumë se një çerek shekulli. Kështu që ka qenë një histori e madhe suksesi për shkak të këtij partneriteti transatlantik. Kur e konsideroni zhvendosjen e forcave amerikane në mbarë botën, në Korenë e Jugut, në Japoni, në Filipine, në disa pjesë të Lindjes së Mesme, dhe sigurisht, në Europë, numri në Kosovë është i vogël. Është shumë, shumë i vogël.
Nuk është një barrë e madhe për buxhetin e Pentagonit. Por promovon një nivel të jashtëzakonshëm stabiliteti dhe parandalimi gjithashtu, duke parandaluar agresionin kundër Kosovës. Prandaj, shpresoj shumë që ato forca amerikane të mbeten. E dini, ndoshta europianët do të duhet të paguajnë më shumë për këtë. Nuk e di, siç thashë, sepse Trump është shumë i fokusuar te çështjet financiare. Por trupat amerikane gjithashtu e mbajnë Kosovën në radarin e Shtëpisë së Bardhë. Nëse Shtetet e Bashkuara kanë trupa në një vend, ata kanë tendencë të interesohen për gjeopolitikën e atij vendi dhe të luajnë një rol në diplomacinë e rajonit gjithashtu. Prandaj mendoj se është e rëndësishme të kesh atë praninë e dukshme të SHBA-së për të mbajtur SHBA-në të angazhuar në diplomacinë konstruktive rajonale gjithashtu. Nuk e shoh mundësinë për një konflikt të ri.
Por gjithmonë ekziston rreziku i disa incidenteve siç ndodhi me Banjskën, sigurisht, disa vite më parë, që ishte një incident i tmerrshëm. Dhe këto incidente, sigurisht, mund të shpërthejnë dhe të dalin jashtë kontrollit. Kjo është e vërtetë. Dhe kemi parë demonstrata dhe trazira në veri. Ka njerëz që, sigurisht, duan të nxisin probleme, kur bëhet fjalë për tabela regjistrimi ose zgjedhje komunale, ose rolin e dinarit në ekonominë e Kosovës, ata shohin një pretekst për të nxitur probleme. Kështu që mendoj se ky është një skenar shumë i mundshëm, fushata dezinformuese, propaganda dhe incidente. Dhe mendoj se është e rëndësishme, që KFOR-i të punojë shumë ngushtë me forcat e sigurisë të Kosovës, me policinë e Kosovës, për të pasur informacione të mira për të parashikuar këto incidente, për të monitoruar kufirin shumë me kujdes. Kështu që mendoj se nuk do të ketë një konflikt të madh, jo, por fatkeqësisht, provokime, po, dhe për këtë arsye nevojiten të jemi të gatshëm”, tha Jamie Shea, ish-zëdhënës i NATO.
#Agjenda #Shtëpisë #së #Bardhë #qartë #ishzëdhënësi #NATOs #Trupat #SHBA #çojnë #Kosovën #Trump
Java News