Botërori 2026/ Nis supersfida me Anglinë, Shqipëria kërkon të dalë me kokën lart nga “Wembley”

Starton ndeshja Angli-Shqipëri e cila luhet në “Wembley”. Kuqezinjtë kërkojnë t’i nisin me këmbën e mbarë kualifikueset e Kupës së Botës 2026. Skuadra e drejtuar nga Silvinjo do të kërkojë gjithashtu të thyejë edhe një tabu, pasi në të gjitha përballjet me “3 luanët” nuk kanë asnjë fitore.
Djemtë tanë ndodhen në Grupin K së bashku me Letoninë, Andorrën dhe Serbinë. Me këta të fundit kombëtarja ka kujtime të këqija, pasi në tetor të vitit 2014 ndodhi incidenti me dronin në Beograd i lëshuar nga Ballist Morina. U desh vendimi i UEFA-s për t’i dhënë 3 pikët kuqezinjve që të kualifikoheshin për herë të parë në një Kampionat Europian.
Statistikat e përballjeve:
Përballja e fundit: Angli-Shqipëri 5-0, kualifikuese e Kupës së Botës, 12 nëntor 2021, stadiumi “Wembley”.
Anglia i ka fituar të gjitha (6) ndeshjet kundër Shqipërisë, duke pasur një përqindje më të mirë suksesi vetëm kundër Luksemburgut (9/9), San Marinos (8/8) dhe Maltës (7/7).
Shqipëria ka shënuar vetëm një gol në 6 përballjet me Anglinë. Fjala është për golin e Altin Rrakllit në humbjen 3-1, në mars 2001. Kjo është norma më e ulët e golave për ndeshje (0.17) kundër çdo kombi, që ka sfiduar të paktën tri herë.
Anglia është e pamposhtur në 31 kualifikueset e fundit të Kupës së Botës (23 fitore, 8 barazime), rekordi më i gjatë aktual për një kombëtare europiane.
Vetëm një herë Anglia e ka humbur ndeshjen e parë të një fushate kualifikuese (13 fitore, 3 barazime), kur u mposht 1-0 nga Gjermania në tetor 2000, në ndeshjen e fundit në “Wembley” e vjetër.
Shqipëria nuk ka fituar kurrë një ndeshje zyrtare kundër një kombëtareje të renditur në “top 10” të FIFA-s (2 barazime, 17 humbje). Përfshirë miqësoret, kuqezinjtë kanë mposhtur Francën (renditur e nënta) me rezultatin 1-0, në qershor 2015, falë një goli të Ergys Kaçes.
Anglia ka fituar 16 nga 17 ndeshjet e fundit kundër kombëtareve që emri i tyre fillon me shkronjën “A” (Albania), pra ka vetëm një barazim, duke e mbajtur portën e paprekur në 15 prej tyre. Kombëtarja e fundit me “A” që mundi Anglinë ishte Australia në “Upton Park”, në shkurt 2003, ndërsa në një ndeshje zyrtare ishte Argjentina në Kupën e Botës 1986.
Kjo do të jetë ndeshja e parë e Tomas Tuhel si trajner i Anglisë. Secili nga dhjetë trajnerët e fundit të përhershëm të “Tre Luanëve” e ka fituar ndeshjen e tij të parë, që nga barazimi 1-1 i Bobi Robson kundër Danimarkës më 1982. I vetmi trajner i përhershëm që ka humbur ndeshjen e parë ishte Alf Ramsey më 1963 kundër Francës.
Xhud Bellingham është përfshirë në 10 gola në 15 paraqitjet e tij të fundit për Anglinë (5 gola, 5 asistime). Paraqitja e tij e radhës do të jetë e 41-ta, duke thyer rekordin e Uejn Runit për më shumë ndeshje me Anglinë të një lojtari nën 21 vjeç (Runi kishte 40 ndeshje mes viteve 2003 dhe 2007).
Lojtarët janë të motivuar për këtë sfidë, me Silvinjon që kërkon një rezultat pozitiv në Londër. Braziliani siç dihet në krye të ekipit kombëtar ka 22 ndeshje. Ka arritur të marrë 9 fitore, 8 humbje dhe 5 barazime.
Saktësisht mori drejtimin e Kombëtares para 2 vitesh. Në 22 ndeshjet e zhvilluara deri më tani, kuqezinjtë ia kanë dalë të shënojnë 27 gola, ndërsa kanë pësuar 19 gola. Me brazilianin kemi luajtur në finalet e Euro 2024, ndërsa fatkeqësisht në Nations League nga Liga B kemi rënë në Ligën C.
Që nga debutimi i tij në një kualifikuese të Kupës së Botës në shtator 2016, vetëm Robert Levandovski (25) dhe Kristiano Ronaldo (21) kanë shënuar më shumë gola në eliminatore se Herri Kejn (17 gola në 14 ndeshje). Sulmuesi i Bajernit të Mynihut ka qenë gjithashtu i përfshirë në 6 gola në 2 ndeshjet kundër Shqipërisë (4 gola, 2 asistime).W
#Botërori #Nis #supersfida #Anglinë #Shqipëria #kërkon #të #dalë #kokën #lart #nga #Wembley
Java News