Kërkesa e Hotit për lidership të ri në LDK/ Pantina: E ngutshme – s’mund të fajësohet kryetari i partisë

Kandidati për deputet nga LDK, Avdullah Hoti, i cili ka fituar sërish ulëse në Kuvendin e Kosovës, ka kërkuar lidership të ri në LDK.
Kjo pas rezultatit zgjedhor të 9 shkurtit, për çka ka thënë se nuk është i kënaqshëm për LDK-në dhe nuk është ai që kanë pritur.
Lidhur me këtë, njohësja e çështjeve politike, Shqipe Pantina, thotë se procesi zgjedhor është lënduar dhe PZAP e gjykata duhet ta vërtetojnë se në çfarë mase ka qenë manipulimi.
“Procesi zgjedhor është lënduar. Në çfarë mase është lënduar dhe në çfarë niveli kanë qenë manipulimet, do ta vërtetojë PZAP dhe gjykata. Por që është lënduar dhe është lënduar me votat nga mërgata. Unë shoh dyshime se mund të ketë manipulime, megjithatë nuk jam e sigurt dhe duhet t’i vërtetojë gjykata ose PZAP”, ka thënë ajo për Gazeta Blic.
Ndërsa, sa i përket kërkesës së Hotit, Pantina vlerëson se është e ngutshme, sepse nuk mund të fajësohet kryetari pse disa aktivistë kanë manipuluar.
“Mendoj se kërkesa apo shqetësimet e z.Hoti për procesin janë legjitime. Ajo që unë mendoj se është e ngutshme nga ana e z.Hoti është që të kërkojë një lidership të ri, sepse ti nuk mund ta fajësosh lidershipin, gjegjësisht kryetarin e partisë, për shkak se disa zyrtarë, disa aktivistë diku kanë mundur të bëjnë manipulime. Por, kjo kërkon diskutim të brendshëm, mbi të gjitha kërkon që këta njerëz të dënohen për këtë punë, sepse e lënduan procesin krejt në fund”, ka deklaruar Shqipe Pantina./Gazeta Blic/
#Kërkesa #Hotit #për #lidership #të #në #LDK #Pantina #ngutshme #smund #të #fajësohet #kryetari #partisë
gazetablic.com