Pa flamurin e PD-së do kthehet në një dash të vogël… –

Kreu i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka, ka komentuar lëvizjet e fundit të deputetit demokrat, Dashnor Sula.
I ftuar në Vizion Plus, Sula ka thënë se vendimi i Sulës për të mos kandiduar në listën e hapur të Partisë Demokratike ishte i nxituar dhe i gabuar. Sipas Ndokës, deputeti demokrat pa logon dhe flamurin e të djathtëve do të jetë një “Dash i vogël”.
“Dash Sula ose do ta pranonte këtë realitet, duke dalë dhe duke studiuar, do dilte shumë më i fortë. Një deputet që fitonte edhe kauzën tjetër përballë qytetarëve, kishte një lloj pavarësie akoma më të madhe edhe në raport me PD-në, edhe në raport me vetë Berishën.
Ai zgjodhi gabim, është rrugë e gabuar ajo që zgjodhi ai. U nxitua duke zgjedhur edhe një formacion politik tjetër, bëri edhe një gabim akoma më të rëndë. Kishte shumë më tepër mundësi te PD-ja në listë të Hapur. Është logoja mbrapa, nuk është Dashi. Dashi pa atë logo, pa flamurin e PD-së do të jetë një Dash i vogël”, tha ai.
Kujtojmë se pak para publikimit të listave të Partisë Demokratike me emrat e kandidatëve për zgjedhjet e 11 Majit, Sula njoftoi se nuk do të jetë pjesë e të djathtëve në zgjedhjet parlamentare.
Kjo pasi refuzoi të ishte pjesë e listës së hapur, pasi kreu i Partisë Demokratike vendosi që të mos e fuste në listat e mbyllura.
Pas këtij vendimi ai “emigroi” drejt Aleancës Shqipëria Bëhet, por dhe aty nuk zgjati shumë. 48 orë pasi njoftoi bashkimin e tij me Adriatik Lapajn një tjetër “krisje” erdhi. Sula tha se nuk do të ishte pjesë as e këtij koalicioni.
#flamurin #PDsë #kthehet #në #një #dash #të #vogël
Java News