Sport

“Ne bëhemi krenar për Xhakën te Zvicra, tani mërzitemi për Brrutin”! Armand Duka: Djalit i pëlqente Shqipëria

Presidenti i Federatës së Futbollit, Armand Duka, ishte i ftuari i parë në “Nazarko Podcast”, një format i ri që sapo ka nisur, nën moderimin e Mentor Nazarkos dhe Oneda Skënderit.

Gjatë bisedës, Presidenti Duka foli për rrugëtimin e tij në krye të Federatës, rritjen e institucionit, rolin e tij në UEFA dhe ndryshimet që kanë ndodhur në futbollin shqiptar. Ai theksoi se FSHF ka kaluar një transformim të madh gjatë dy dekadave të fundit, duke u zgjeruar si institucion dhe duke ndikuar ndjeshëm në zhvillimin e futbollit në vend. Me investime të vazhdueshme në infrastrukturë, rritjen e numrit të futbollistëve dhe përmirësimin e organizimit të garave, FSHF është sot një institucion modern me një vizion të qartë për të ardhmen.

 

Gjithashtu, Presidenti Duka u ndal te Kombëtarja, e cila është në prag të rrugëtimit të ri në kualifikueset e Kupës së Botës. Ai vuri në dukje se përfaqësimi dinjitoz i Kombëtares ka forcuar lidhjen mes shqiptarëve kudo në botë, duke e bërë futbollin një simbol bashkimi për kombin.

E kishit menduar ndonjëherë që do të drejtonit futbollin shqiptar? – Jo, dhe as nuk ka qenë në objektivat e mia, sepse drejtimi im ka qenë menaxherial. Unë kam përfunduar universitetin për Ekonomi – Industri dhe me ndryshimin e sistemeve i jam futur biznesit. Futbolli më ka pëlqyer gjithmonë, sepse vij nga një familje sportive. Babai im ka qenë futbollist dhe trajner futbolli. Vëllai im ka qenë volejbollist, sporti është në ADN-në e familjes. Por për ta drejtuar nuk e kisha menduar realisht. Bashkë me vëllain tim kemi sponsorizuar dhe drejtuar ekipin e volejbollit të Shijakut. Vëllai im ka qenë volejbollist, ka luajtur për më shumë se 20 vjet. E kemi sponsorizuar për rreth tre vite dhe në atë kohë kemi fituar të gjithë trofetë e mundshëm. Sporti ka pasur nevojë për sponsorizime dhe ndihma financiare dhe kjo më ka bërë që të njihem më shumë me ambientin e futbollit të asaj kohe. Më pas kam sponsorizuar ekipet e futbollit të Erzenit dhe Teutës, dhe më vonë jam propozuar nga anëtarët e FSHF-së dhe nga klubet për të qenë President.

Nuk ka formula për asgjë. Por, në federata të pakonsoliduara siç ka qenë FSHF-ja, është më mirë që të ketë një menaxher të mirë për ta konsoliduar atë. Nëse një institucion konsolidohet, Presidenti i saj mund të jetë kushdo.

Zhvillimi i futbollit shqiptar në vitet e fundit – Nuk jam nga ata që besoj se plani 2-vjeçar sjell begati. Koha ka ndryshuar, ka evolim të ekonomisë dhe shoqërisë. Ka menaxhim më të mirë të institucionit dhe talente më të mira. Në futboll nuk është e rëndësishme të kesh futbollistë të mirë, është e rëndësishme të kesh skuadër të mirë. Dhe për të pasur skuadër të mirë duhet të harmonizosh të gjithë elementët që bëjnë skuadrën. Skuadrën nuk e bëjnë ata të 11-të që hidhen në fushë, por e bëjnë të gjithë bashkë. Qoftë edhe klima politike, në një moment të një klime të vështirë politike, kjo reflektohet gjithkund. Nëse ndikimi i drejtimit të një institucioni është në 10% të suksesit të saj dhe unë kam bërë 80% të saj, jam i lumtur.

Si ka ndikuar përfaqësimi i lojtarëve nga Kosova, Maqedonia e Veriut, fakti që ata janë bashkuar me Kombëtaren në Euro 2016? – Kanë qenë gjithmonë vlerë e shtuar për ne, të gjithë futbollistët e diasporës. Kanë dhënë një kontribut të madh për Kombëtaren. Ne kemi hapur dyert e Kombëtares më herët se 2015, por pas 2015 në një numër më të madh. Ka pasur futbollistë me kualitet. Ka ndikuar pozitivisht dhe vijon të ndikojë pozitivisht. Ne nuk kemi ndërmend të ndryshojmë këtë politikë dhe të mbyllim derën për çdo shqiptar që dëshiron të luajë për Kombëtaren shqiptare. Ka shpesh diskutime, kritika, por ne do ta vazhdojmë këtë lloj politike, me derë të hapur për këdo që dëshiron të luajë dhe pa dyshim që e meriton të luajë.

Pranimi i Kosovës në UEFA dhe FIFA – Pranimi i Kosovës në UEFA ka qenë një betejë e vështirë. Ne kemi lobuar si Federatë futbolli, kemi lobuar dhe mbështetur në të gjitha mënyrat, Federatën e Futbollit të Kosovës, edhe përmes anës financiare që të pranohet. Lufta ka qenë e fortë dhe e ashpër sepse Kosova ka pasur shumë kundërshtarë dhe në fund ka fituar me një votë diferencë. Dhe ajo ka ndryshuar realitetin futbollistik në Kosovë sepse pa qenë anëtar i UEFA-s apo FIFA-s është vështirë të zhvillohet futbolli. Kemi bashkëpunuar me Federatën e Kosovës, me ish-presidentin e asaj kohe, legjendën e futbollit shqiptar, Fadil Vokrri.

Kalimi i lojtarëve nga Kosova te Shqipëria (rasti i Brrutit) – Pashë një status të babait të lojtarit dhe mendoj që ishte i duhuri. Akuza për mua apo FSHF-në ka në të dyja drejtimet, pse e keni marrë këtë lojtar apo pse nuk e keni marrë. Edhe kur i merr, edhe kur nuk i merr, gjysma e njerëzve janë pro dhe gjysma kundër. Nëse je i bindur që ke bërë më të mirën, duhet të vazhdosh ta bësh. A e kam marrë unë Brrutin? Unë jam një nga ata që vendos për politikat e FSHF-së dhe një nga politikat tona është që dera e Kombëtares është e hapur për këdo. Ne marrim vetëm futbollistët shqiptarë, kushdo që ndihet shqiptar luan për ne.

Marrëdhënia me FFK? – Kam marrëdhënie të mira me të gjitha federatat e Europës, kurse me Federatën e Kosovës kam marrëdhënie vëllazërore.

Etnik Brruti – Në këndvështrimin sportiv, të gjithë ata që janë mbështetës të përfaqësueses së Kosovës mund të kenë një lloj të drejte, nëse futbollisti është një talent që mund të kishte kontribuar për ekipin që ata mbështesin. Në këtë këndvështrim kanë të drejtë. Në këndvështrimet e tjera nuk kanë të drejtë, sepse kushdo vendos vetë për veten. Nuk kemi pse mërzitemi, ne jemi bërë krenarë që Xhaka luan me Zvicrën, tani mërzitemi se pse Brruti luan me Shqipërinë. Brruti e ka marrë pasaportën dhe kemi aplikuar dhe për vizën angleze dhe uroj ta kemi në kohë.

Reagimi i trajnerit të U-21 të Kosovës – Nuk besoj se ka futbollistë që e kanë ëndërr të shkojnë në Rusi, po pa dyshim që nuk mund ta refuzojë një klub rus. Futbollistët kanë ëndërr të shkojnë në perëndim, në Angli, Gjermani, Itali, Spanjë, Spanjë. Por nëse karriera i çon në Rusi, mund të luajnë dhe aty. Nuk është ai qëllimi, qëllimi i djalit është që i ka pëlqyer të luajë me Shqipërinë. Ka dhe një shans të madh, ne do jemi pjesë e Kampionatit Europian U-21 2027. Nëse vazhdon karrierën mirë, do të luajë në finalet e këtij kampionati, në karrierë nuk të jepet shumë mundësia kur luan me ekipe relativisht të mesme apo të vogla. Çfarë i ofron Brruti Silvinjos? Teknikisht nuk e njoh, vendosin trajnerët, drejtori teknik i FSHF-së. Nuk e kam parë ndonjëherë. Nuk kam formimin e duhur për ta njohur teknikisht

#bëhemi #krenar #për #Xhakën #Zvicra #tani #mërzitemi #për #Brrutin #Armand #Duka #Djalit #pëlqente #Shqipëria
SportExpress

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button