Policia garanton proces të lirë dhe me standarde –

Teksa jemi 60 ditë larg nga zgjedhjet parlamentare, ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, thotë se kapacitetet e Policisë së Shtetit garantojnë zgjedhje të lira dhe me standarde.
“Garantoj gjithë qytetarët dhe aktorët e tjerë se Policia e Shtetit, mbi bazën e një planveprimi, ka përmbyllur trajnimet në nivel drejtues dhe është e gatshme të përmbushë në vijim çdo detyrim ligjor për të garantuar zgjedhje të lira e me standarde në 11 maj,” theksoi ministri Hoxha.
Këto deklarata u bënë gjatë nënshkrimit të marrëveshjes për fazën e tretë të programit “Forcimi i Policimit në Komunitetit”, që si synim ka forcimin dhe konsolidimin e partneritetit polici–komunitet.
“Koncepti i Policimit në Komunitet është pjesë integrale e punës së çdo njësie të Policisë së Shtetit, një realitet i prekshëm dhe i njohur nga të gjithë. Por çka është më e rëndësishme, ky koncept policimi është përqafuar edhe nga vetë komuniteti, qytetarët, shoqëria civile.
Ajo që na duhet në vijim është konsolidimi i rezultateve, thellimi i bashkëpunimit nxënës, prindër, mësues, staf akademik dhe agjenci ligjzbatuese, ku programi do të luajë një rol mbështetës padyshim,” deklaroi ministri Hoxha, duke iu referuar zbatimit të Paketës së Sigurisë në Shkolla.
Sipas sondazhit më të fundit, 65% e qytetarëve vlerësojnë punën e Policisë si “të mirë” ose “shumë të mirë”, 86% e qytetarëve janë të njohur me policimin në komunitet dhe e vlerësojnë atë pozitivisht, ndërsa 82% e qytetarëve ndihen të sigurt në zonat e tyre të banimit.
#Policia #garanton #proces #të #lirë #dhe #standarde
Java News