Po na ikin te Shqipëria

Trajneri i Kosovës U-21, Afrim Tovërlani, po vazhdon me deklaratat e papranueshme karshi Shqipërisë. Është e pamundur sesi një njeri që drejton në një post kaq të lartë Kosovën, të ketë dalje të tilla publike dhe të shprehet në këtë mënyrë kundër Shqipërisë. Perla e radhës nga Tovërlani i kalonte të gjitha caqet. Pasi e quajti tradhtar Etnik Brrutin që kaloi nga Kosova U-21 te Shqipëria A, këtë herë situata ka kaluar në ekstrem. I ftuar në Dueli Sportiv, Toverlani u shpreh:
“Nuk do të arrijmë asnjëherë të kualifikohemi në Europian apo Botëror nëse Shqipëria na shkatërron kështu, duhet të ndalet Shqipëria. Nëse nuk e ftojmë një lojtar, atëherë ta ftoj Shqipëria. I kanë disa avantazhe në Itali, lojtarët e Shqipërisë njihen si vendas dhe jo të huaj dhe në Rusi, njihet pasaporta e Shqipërisë, e Kosovës jo se nuk na njohin si shtet. Rusia po shkakton luftë dhe gjenocid ndaj Ukrainës dhe nuk e njeh Kosovën, mirëpo joshja e lojtarëve tanë për Shqipërinë, ka ndikim të madh. Nuk dua as të flitet për patriotizëm më tani. E kemi pasur zakon, i kam lejuar boksin e muzikës lojtarëve të Kosovës U-21 që të inspirohen para ndeshjeve me këngët Mora Fjalë, me këngët e Zahir Pajazitit dhe këngët e tjera patriotike që janë frymëzuar djemtë, nuk ia kam ndaluar, por tani ka ardhur koha që t’ia ndalojmë se këto nuk po vlejnë. Nuk e dija se paska lojtarë kosovarë që kërkojnë të shkojnë në një evenimet ku Shqipëria bëhet bashkë me Serbinë, këtë akoma nuk e kam ditur, tani e kuptova. Shqipëria po na shfrytëzon maksimalisht”, tha Tovërlani.
Pra trajneri i Kosovës U-21 do të ndalojë përfundimisht këngën Mora Fjalë që të mos dëgjohet nga lojtarët e Kosovës, pasi ata po frymëzohen prej saj dhe më vonë po ikin te Shqipëria. Ndërkohë pak kohë më parë u diskutua se përse kënga Mora Fjalë u hoq nga Air Albania dhe në Kosovë, po këta personazhe, dolën kundër FSHF pasi sipas tyre e hoqën këtë këngë pasi do të organizojnë Europianin me Serbinë. Edhe nëse kjo është e vërteta, është akoma më e papranueshme fakti sesi në Kosovë do të hiqet kënga Mora Fjalë për lojtarët pasi ata po zgjedhin që të shkojnë te Shqipëria dhe se kështu nuk do të vazhdohet më.
Ishte po kaq skandaloze goditja e ulët që Tovërlani bëri ndaj Etnik Brrutit vetëm për shkakun se shkoi te Shqipëria. Ai përmendi faktin se Rusia po sulmon Ukrainën dhe se nuk e ka njohur Kosovën, ndërsa në Rusi janë edhe shumë lojtarë të tjerë shqiptarë, ndërsa Vedat Muriqi, lojtari i Kosovës, shkoi te Mallorca atje ku gjendeshin edhe tre lojtarë të tjerë serbë. Por për Tovërlanin, problemi është Etnik Brruti që kaloi te Shqipëria. Dhe për ta mbyllur, Tovërlani e quan të turpshme sesi Etniku kaloi te një Kombëtare e cila po organizon Europianin me Serbinë. Pra nga sot e tutje, në Kosovë do t’i kërkojnë lojtarëve që të mos kalojnë në një shtet që po organizojnë Europianin me Serbinë, duke e trajtuar Shqipërinë si armiqësore. /Sport Ekspres/
#ikin #Shqipëria
SportExpress