Mbështesim sovranitetin e Bosnjë-Hercegovinës –

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i është bashkuar deklaratës së Sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, sa i përket zhvillimeve të fundit politike në Bosnjë-Hercegovinë.
Osmani ka thënë se qëndron në solidaritet të plotë me popullin e Bosnjës, duke riafirmuar mbështetjen e palëkundur për sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit.
“Ne gjithashtu dënojmë me forcë çdo veprim që minon themelet e Bosnjë-Hercegovinës, pasi rrezikon paqen dhe stabilitetin për të cilat rajoni ka punuar pa u lodhur për të arritur – përmes dekadash sakrificash dhe me mbështetjen e palëkundur amerikane. Angazhimi i SHBA-së mbetet parësor për të siguruar që rajoni ynë të ecë drejt stabilitetit dhe paqes së qëndrueshme, si dhe drejt një të ardhmeje euroatlantike. Jemi të përkushtuar të punojmë ngushtë me Shtetet e Bashkuara për të arritur këtë qëllim”, ka shkruar Osmani në llogarinë e saj në “X”.
Rubio të shtunën ka deklaruar se veprimet e presidentit të Republikës Serbe, Milorad Dodik, po i minojnë institucionet e Bosnjë-Hercegovinës, si dhe po kërcënojnë sigurinë dhe stabilitetin e saj.
SHBA-ja ka inkurajuar liderët politikë në Bosnjë-Hercegovinë që të angazhohen në dialog konstruktiv dhe të përgjegjshëm.
“Ne u bëjmë thirrje partnerëve tanë në rajon që të bashkohen për të kundërshtuar këtë sjellje të rrezikshme dhe destabilizuese”, është shprehur Rubio.
#Mbështesim #sovranitetin #BosnjëHercegovinës
Java News