Nuk ka asnjë intimidim ndaj hetuesit të BKH nga ana e Veliajt; pas disa ditësh, ai hynte lirshëm në bashki për të marrë dokumentet që i nevojiteshin –

Avokatët e çështjes Veliaj kanë hedhur dritë edhe mbi një pikë tjetër të rëndësishme, siç është pretendimi i prokurorit Ols Dado se kryebashkiaku Veliaj ka intimiduar me sms agjentin e BKH. Avokati i Veliajt, Ermir Beta shpjegoi në takimin me gazetarët, se përmbajtja e sms nuk ka asgjë intimiduese.
“Nuk mund të flitet për intimidim për gjyqtarë të cilët janë super të trajnuar dhe të paguar. Nuk mund të flitet për një intimidim të një hetuesi, i cili të nesërmen, ose disa ditë më pas, hyn lirshëm në zyrën e kryetarit të Bashkisë për të marrë çfarëdo lloj dokumentesh që i vlerësonte të nevojshme. Nuk bëhet fjalë për intimidues. Cili është konteksti? Konteksti është që z. Veliaj, edhe në momentin kur është ushtruar kontroll ndaj znj. Xoxa në Dhjetor 2024, ka qenë në udhëtim pune jashtë shtetit. Ai është gjetur në situatën që ndaj familjes së tij, bashkëshortes, është ushtruar kontroll. Është një gjë që nuk ndodh përditë dhe shkakton një tronditje. Znj. Xoxa është thirrur dhe është pyetur për afro 9-10 orë si person që ka dijeni, po në dhjetor 2024.
Natyrisht, është një proces që nuk është se kalon shumë lehtë për persona që nuk janë mësuar të trokasin në atë godinë që të hyjnë dhe të jenë subjekt pyetjesh. Ka rastisur që një nga hetuesit që e ka marrë në pyetje disa ditë më parë, ka parë të nevojshme që të pyesë znj. Xoxa për fakte që ai e gjykonte të domosdoshme dhe të nevojshme. Dhe ka bërë një komunikim nëpërmjet telefonit, me ëhatsup ose sms, ku i është kërkuar ditë të shtunë të thirrej në SPAK për të dhënë disa deklarime shtesë. Rezulton që edhe në atë ditë z. Veliaj ka qenë në udhëtim jashtë shtetit dhe ata jetojnë vetëm, të tre, bashkë me djalin e tyre të mitur.
Imagjino tani, të jesh vetëm me fëmijë, je thirrur më parë dhe ke dhënë dëshmi 9 apo 10 orë për çfarë është dashur për të gjithë jetën tënde dhe ditë të shtunë që ti mendohet se do të pushosh të marrësh prapë një telefonatë nga një oficer i BKH-së, që thotë hajde edhe njëherë, përjetoje edhe njëherë atë situatë. E para, bashkëshorti nuk është. E dyta, fëmija me kë do të rrijë? Natyrshëm që këtë situatë t’ia përcjellësh bashkëshortit që nuk është aty pranë teje, është në udhëtim jashtë shtetit, është shumë larg, i cili krijon një perceptim të tijin për këtë situatë. Dhe në tekstin që unë e kam, por që nuk mund ta vendosim në dispozicion, nuk ka asgjë intimiduese”, tha avokati Beta.
#Nuk #asnjë #intimidim #ndaj #hetuesit #të #BKH #nga #ana #Veliajt #pas #disa #ditësh #hynte #lirshëm #në #bashki #për #të #marrë #dokumentet #që #nevojiteshin
Java News