Kemi të bëjmë me skuadër vrasësish… –

Gazetarja Anduena Llabani thotë se i penduari i drejtësisë, Nuredin Dumani, në sallën e gjyqit, për dosjen “Plumbi i Artë”, ka kërcënuar një avokate.
Në emisionin “360 gradë” në ABC News, Llabani u shpreh se Dumani, deri më tani, ka thënë gjysmën e gjërave që di.
Ndërsa eksperti i kriminalistikës, Ervin Karamuço deklaroi se kemi të bëjmë me një skuadër vrasësish, deri në 20 persona, të cilët kanë bashkëpunuar me njëri-tjetrin.
Gazetari Trashgim Sokolj theksoi se mbetet për t’u parë sesi SPAK do e administrojë këtë situatë.
Anduena Llabani: Po ndodh një proces hetimi brenda një procesi gjykimi. Është seanca e gjashtë që Nuredin Dumani dëshmon në procesin gjyqësor. Ka shumë për të thënë. Një dekadë ngjarje pa autor, vrasje me pagesa, të financuara nga biznesmenë dhe kundërshtarë të grupeve kriminale në vend. Nuredin Dumani ka kërcënuar në sallën e gjyqit, një avokate. Me fjalët, që vetëm ti më ke mbetur pa vrarë. Kjo ka detyruar gjykatën të marrë pushim. Prokurori ka kërkuar përgjimin e audios. Kemi një dëshmitar të drejtësisë, që hetohet në sallën e gjyqit për kërcënim ndaj avokates. Dumani ka thënë gjysmën e gjërave që di. Emrat e personave që përmenden nga Dumani, i përkasin grupeve kriminale.
Ervin Karamuço: Deri më sot kishim dëgjuar dëshmitë e këtij personazhi, në seancë do përballet edhe me të tjerë. Këtu flasim për një skuadër vrasësish. Mund të shkojë deri në 20 vetë. Skuadër që e njohin shumë mirë njëri-tjetrin dhe i lënë detyra njëri-tjetrit. Ky personazh e pranon që ka kryer vrasje, në bashkëpunim me këto që referon në deponimet e tij. Kanë bërë bashkëpunime me njëri-tjetrin. Nuk janë të gjithë vrasës me pagesë, janë të lidhur me episode të caktuara, jo me të gjitha vrasjet.
Trashgim Sokolaj: Kemi të bëjmë me 20 persona të pandehur. Prova kryesore ka qenë dëshmia e Nuredin Dumanit. Në procesin ku po dëshmon Nuredin Dumani, janë 20 të pandehur. Elementi tjetër që del, ka një të penduar që kërcënon avokaten në sallën e gjyqit. Duket si strategji për të lëkundur dëshminë e të penduar. Mbetet për t’u parë sesi do e administrojë SPAK këtë situatë.
#Kemi #të #bëjmë #skuadër #vrasësish
Java News