Donin të më hiqnin nga puna se linda –

Rozi Kostani është një aktore dhe regjisore e njohur dhe me një karrierë të pasur në fushën e artit. E ftuar në studion e “Rudina” në Tv Klan përveç mesazheve për të gjitha gratë e vajzat shqiptare këtë 8 Mars, ajo u ndal dhe tek një histori personale që kishte ndikuar jo pak në jetën e karrierën e saj.
Për publikun ajo kujton se rrugëtimi i saj në botën e artit nuk ka qenë “fushë me lule”. Në Korrik të vitit 2003, ajo solli në jetë një vajzë. Për të ishte padyshim një bekim dhe lumturi e madhe, por jo të gjithë e shinin me këtë sy.
Në atë kohë Rozi Kostani jepte mësim në Akademinë e Arteve, në Shtator kur nisi shkolla iu komunikua se e kishin hequr nga puna për shkak se kishte lindur.
“Unë kam kaluar një vështirësi që më ka tronditur themelet dhe aty mendoj që jam rritur. Në vitin 2003 kam lindur vajzën dhe unë prej 25 vitesh jap mësim në Akademinë e Arteve. Unë e kam lindur në Korrik dhe shkoj në Shtator, sepse fillonte shkolla në Shtator dhe më thotë shefja e departamentit ‘ne të kemi hequr sepse ti ke lindur dhe nuk mundesh dot që të vish në punë’. Kjo ka qenë një goditje që s’kam për ta harruar gjithë jetën”, tregon aktorja.
Por, tentativa e drejtoreshës së departamentit ndoshta për shkak të zilisë apo xhelozisë për ta hequr nga puna, doli huq. Rozi Kostani tregon se ishte pikërisht profesor Milton Kutali ai i cili e mori tek departamenti i tij dhe për të aktorja shpreh mirënjohje të pafund.
“U përpoqën të më hiqnin, sigurisht. Mu shemb e gjithë bota dhe sigurisht ajo që e mori këtë vendim ishte femër. U trondita më shumë sepse ishte femër dhe tani që kujtoj kam një ndjesi shumë të çuditshme brenda meje. Thashë me vete se si ka mundësi që një grua të përpiqet të heqë një grua tjetër nga puna, sepse ka lindur. Është gjëja më legjitime dhe më e bukur në botë që i ndodh një femre që të bëhet nënë. Nuk kam për ta harruar kurrë atë ditë. Një koleg i imi, i departamentit tjetër të regjisë u ndodh aty pranë dhe tha ‘si do e hiqni Rozin nga puna vetëm sepse ka lindur’, dhe tha ‘do e marr unë nga departamenti im dhe jam i nderuar që do e marr’, unë atij njeriu ia di për nder gjithë jetë. Ai është Milton Kutali që sot është dekani i fakultetit”, përfundoi Rozi Kostani.
#Donin #të #më #hiqnin #nga #puna #linda
Java News