Aktualitet

I dërguari amerikan drejt Arabisë Saudite për bisedime me palën ukrainase

Një zyrtar i lartë i administratës së Presidentit Trump tha të enjten se do të niset drejt Arabisë Saudite për të biseduar me përfaqësuesit ukrainas rreth një armëpushimi lidhur me mundësinë e ndalimit të agresionit rus.

“Aktualisht po bisedojmë për të koordinuar një takim me palën ukrainase në Riad, ose në Jeddah”, tha i dërguari i Presidentit Trump për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff. “Synimi është arritja e një kornize për një marrëveshje paqeje dhe gjithashtu një armëpushimi fillestar”, shtoi ai.

Witkoff tha se Presidenti Trump beson se udhëheqësi ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, ka ndryshuar qëndrimin pas takimit në Shtëpinë e Bardhë të premten e kaluar.

“Ai mendon se letra nga Zelenskyy ishte një hap i parë shumë pozitiv. Shprehej ndjesë. Pranohej se Shtetet e Bashkuara kanë bërë shumë për Ukrainën dhe shprehej mirënjohje”, tha Witkoff.

Ndërkohë, Presidenti Zelenskyy u takua me udhëheqësit evropianë në Bruksel për bisedime urgjente.

“Ne do të armatosemi më shpejt, do të jemi më të zgjuar dhe më efikas se Rusia”, tha Kryeministri polak Donald Tusk, i cili mban presidencën e radhës të BE-së.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, paraqiti një plan për të lehtësuar rregullat buxhetore në mënyrë që vendet anëtare që janë të gatshme të mund të shpenzojnë më shumë për mbrojtjen, krahas angazhimeve për të inkurajuar 27 vendet e bllokut, që gjatë katër viteve të ardhshme, të investojnë një total prej 863 miliardë dollarësh në sektorin e mbrojtjes.

“Jemi shumë mirënjohës që nuk jemi vetëm dhe këto nuk janë vetëm llafe”, tha Presidenti Zelenskyy. “Ne e ndiejmë këtë. Është shumë e rëndësishme”.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, tha përpara bisedimeve se vendet e BE-së do të “marrin hapa vendimtar përpara”, ndërsa shprehu shqetësime për ndryshimin e qëndrimit të Shteteve të Bashkuara nën administratën e re të Presidentit Trump.

“E ardhmja e Evropës nuk duhet të vendoset në Uashington apo në Moskë”, tha Presidenti Macron.

Ministri i Mbrojtjes i Francës, Sébastien Lecornu tha të enjten se vendi i tij po ndan me Ukrainën informacione të zbulimit. Shtetet e Bashkuara njoftuan më herët se po ndërprisnin ndarjen e të dhënave të zbulimit me Ukrainën.

Në fillim të javës, Presidenti Trump urdhëroi pezullimin e ndihmave ushtarake amerikane për Ukrainën pas takimit të javës së kaluar me Presidentin Zelenskyy në Shtëpinë e Bardhë.

Drejtori i CIA-s, John Ratcliffe, tha të mërkurën se Shtetet e Bashkuara, për momentin, i kanë dhënë fund ndarjes së të dhënave të zbulimit me Ukrainën. Sidoqoftë, kjo ka të ngjarë që jetë afatshkurtër pasi Presidenti Zelenskyy shprehu keqardhje për shkëmbimet në Zyrën Ovale me Presidentin Trump dhe se Ukraina është gati për bisedime paqeje me Rusinë.

Që nga fillimi i luftës në vitin 2022, Shtetet e Bashkuara i kanë ofruar Ukrainës të dhëna zbulimi të konsiderueshme, përfshirë informacione kritike që i nevojiten ushtrisë ukrainase për të vënë në shënjestër forcat ruse.

Arritja e një marrëveshjeje paqeje mund të jetë e vështirë. Ukraina ka kërkuar prej kohësh respektimin e kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht në vitin 2014, përpara se Rusia të aneksonte Krimenë.

Aktualisht Rusia mban rreth një të pestën e territorit ukrainas, përfshirë pjesën më të madhe të Ukrainës lindore, dhe është zotuar të mos i kthejë asnjë pjesë qeverisë së Kievit./VOA



#dërguari #amerikan #drejt #Arabisë #Saudite #për #bisedime #palën #ukrainase
gazetablic.com

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button