Tabaku: Sot iku mburoja e fundit politike për Ahmetajn, SPAK të vijojë hetimet

Jorida Tabaku reagoi për mediat pasi Kuvendi i hoqi imunitetin Arben Ahmetajt duke e autorizuar SPAK-un që ta arrestojë atë. Sipas Tabakut, sot iku mburoja e fundit politike për Ahmetajn.
“Nga sot iku dhe mburoja e fundit politike për Arben Ahmetajn. Besoj që nga sot duhet të fokusohemi dhe t’i kërkojmë SPAK-ut çdo ditë që të vijojë hetimet. Sot është një ditë ku ne duhet të kërkojmë informacion çfarë po ndodh me inceneratorin e Tiranës, çfarë po ndodh me inceneratorin e Durrësit dhe çfarë po ndodh me pjesën tjetër të të hetuarve në lidhje me Elbasanin dhe me Fierin. Kjo ka qenë një kauzë e drejtë e PD-së, e opozitës që për 6 vite me insistim ka arritur që sot të çojë para drejtësisë 3 ministra të kësaj qeverie. Duhet t’i japim mbështetje maksimale SPAK. Duke nisur nga sot u mbyll një kapitull dhe shpresojmë të hapet një kapitull i ri për drejtësinë shqiptare duke çuar përpara drejtësisë të gjithë të akuzuarit e tjerë”, u shpreh Tabaku.
Ajo tha se në dosjen për inceneratorët nuk ka asnjë emër nga opozita.
“Opozita i qëndroi në këmbë për 6 vite duke e denoncuar këtë aferë”, tha ajo.
/a.r
#Tabaku #Sot #iku #mburoja #fundit #politike #për #Ahmetajn #SPAK #të #vijojë #hetimet