Ku gabon kryeministri me rastin Gëllçi –

Nga Dorian Matlija
Përtej një përgjigjeje Kryeministrit për Thoma Gëllçin, avokaturën sovrane të shtetit dhe ca gjëra të tjera që thuhen në kësi rastesh…
Dëgjova sot ligjërimin publik të Kryeministrit, i cili kishte marrë në konsideratë një mesazh publik që postova në faqen time në Facebook. Konkretisht, ai nuk ishte dakord që Avokatura e Shtetit të kishte mbajtur qendrim pro Thoma Gëllçit në Strasburg, sepse fundja, sipas mendimit të tij, Avokatura e Shtetit, si organ sovran që përfaqëson Republikën e Shqipërisë, ka detyrë të mbrojë shtetin dhe se nuk ka çfarë ndikimi të ketë nga qeveria. Mua më ngjau që me këtë rast bëri një devijim nga përgjegjësitë politike të qeverisë në raport me shkeljen e të drejtave të njeriut që raportohen në Strasburg. Në fakt, Kryeministri gabohet, por nuk do ndalem vetëm këtu. Historia ka një përmbajtje dhe një kontekst.
Si fillim, Avokatura e Shtetit varet nga Kryeministri. Po të ishte ndryshe do varej nga Kuvendi. Avokatura e Shtetit në gjyqet në Strasburg quhet “agjenti qeveritar“ dhe shteti mbrohet nga pushteti ekzekutiv. Nuk mbrohet as nga Kuvendi dhe as nga ndonjë xhep i pushtetit gjyqësor. Qeveria mund të ndodhë që të mos jetë dakord me gjykatat vendase dhe mund të jetë dakord me ankuesin që ka paditur Shqipërinë në Strasburg. Madje, në çdo gjyq atje në Strasburg, Gjykata fton palët që të zgjidhin çështjen me pajtim. Dhe herë pas here ndodh që të arrihet pajtimi. Madje, është pjesë e mekanizmit “kontrollo e balanco” që është i domosdoshëm. Pra, gjykatat e vendit mund t’ja fusin kot, të shkelin të drejtat e individëve, dhe kur Gjykata e Strasburgut pyet “agjentin qeveritar” (Avokaturën e Shtetit në rastin tonë), kjo e fundit mund të dalë kundër gjykatave vendase dhe pro individit ankues. Në këto raste, Avokatura e Shtetit bën një marrëveshje, ose deklaratë të njëanshme ku pranon shkeljet e bëra, si dhe ofron zgjidhje për problemin, duke shtuar edhe një shpërblim dëmi që e merr përsipër vullnetarisht.
Në praktikë, në të paktën tre raste ku unë kam qenë i përfshirë, Avokatura e Shtetit, gjatë kohës së kësaj qeverie, ka ofruar zgjidhje me pajtim. Në rastin Veizi dhe të tjerët kundër Shqipërisë, në rastin Myrtaj dhe të tjerët kundër Shqipërisë, si dhe në rastin Matlija kundër Shqipërisë. Dy të parat kanë lidhje me të drejtat e shkelura të familjarëve të të vrarëve të 21 janarit, dhe e treta ka lidhje me shkeljen e të drejtës për informim që më është bërë mua personalisht nga Kryeministria për një dosje që nuk ma jepnin. Mbase ka edhe të tjera si këto raste.
Pse ndodhi që Avokatura e Shtetit në rastet e 21 janarit ra dakord me ankuesit dhe doli hapur kundra gjykatave vendase? Sepse u bind që gjykatat shqiptare kishin shkelur standardet. Ankuesve iu mor përsipër riçelja e hetimeve, si dhe një shpërblim dëmi për andrallat që kishin kaluar për ta çuar çështjen deri në Strasburg. A është e drejtë kjo mënyrë veprimi? Po, është e drejtë dhe e bazuar në Konventë dhe rregulloren e Gjykatës së Strasburgut. Po pse nuk e bënë të njëjtën gjë edhe për Gëllçin? Aty kishte shkelje të hapura të standardeve nga gjykatat shqiptare. Madje Strasburgu i bëri të qarta që nga mënyra se si i shtroi pyetjet për qeverinë. Por Avokaturës së Shtëtit nuk iu duk me interes për të rënë dakord me Gëllçin dhe madje e luftoi përmes një morie shkresash e kundërshtimesh, duke bërë të bardhën të zezë e të zezën jeshile, a thua se erdhi dita e qametit që Gëllçi i rrezikshëm mund të transformohej befas në viktimë dhe SPAK në persekutor.
Për ta futur lexuesin pak në kontekst, për habi, Avokatura e Shtetit ishte aty kundër Gëllçit edhe kur ai kërkonte në gjykatën e Tiranës që të hapej gara për Drejtor të RTSH. Për çudi e them sepse RTSH mbrohet zakonisht nga juristët e vet, përveç rastit Gëllçi ku juristëve të RTSH-së iu hoq demonstrativisht autorizimi në mënyrë të paprecedentë për ta kaluar direkt mbrojtjen te Avokatura e Shtetit, e cila as sot nuk arrij dot ta kuptoj pse kundërshtonte hapjen e asaj dreq gare. Asaj gare që si përfundim u hap me urdhër gjykate, por vetëm pak ditë pas arrestimit të Gëllçit që nuk mund të rikandidonte dot nga biruca ku e futën.
Ajo avokatura sovrane, qëlloi dy herë kundër Gëllçit, një herë në Tiranë kundër të drejtës së tij për të garuar për drejtor dhe një herë në Strasburg kundër arrestimit pa baza dhe shkeljes së prezumimit të pafajësisë. Ajo avokatura sovrane jo vetëm që nuk duhet parë si sondë jashtëtokësore nga Kryeministri, por duhet, dhe siç e thashë më lart ka ndodhur herë të tjera, të orientohet nga politikat e qeverisë. Aq më tepër kur ajo reklamon që synon BE-në. Aty ku ka shkelje të ligjeve, konventave e standardeve ta pranojë shkeljen dhe të kërkojë marrje masash, e jo të luftojë kot kundër gjithë logjikës së Strasburgut, apo ligjeve tona vendase, kur në fund prapë dihet që do humbasë, por do humbasin edhe ca vite nga jeta jonë. Qeveria dhe Kryeministri i kanë të gjitha mundësitë që të rregullojnë standardet jo andej nga fundi kur vijnë dhimbjet e ardhjes së ndonjë veze, por që kur jepen shenjat e para që ka diçka që nuk shkon. Gëllçi e dha sinjalin që në vitin 2021. Jo një sinjal, por dy.
Ai e dha sinjalin në një kohë kur i vetmi rrezik real që përfaqësonte Gëllçi ishte që kishte shndërruar RTSH në një përbindësh që kishte thithur befas shikueshmërinë, kishte shtuar një mori kanalesh të reja, i kishte përpirë konkurencës edhe Champions League, Formula 1, etj., kishte investuar në teknologji të reja në studio, në antena, në programe kompjuterikë e aplikacione telefoni, kishte bërë reformë administrative si dhe transmetonte edhe ca investigime të hidhura. Dikush, ose disa, mbase e donin RTSH-në pa kokë dhe pa Thoma, dhe për ironi e akuzuan pikërisht për arritjet, për hapjen e një kanali të ri, për tenderimin e një teknologjie të re, për blerjen e Champions League, për atë aplikacionin RTSH Tani (i përjetshëm qoftë kujtimi i këtij aplikacioni tashmë të zhdukur), për antenat e riparuara, për mënyrën e menaxhimit kompjuterik të programeve, e shumë të tjera.
Akuzat ndaj tij ranë njëra pas tjetrës, por ama efekti i tyre, i shoqëruar me spektaklin e arrestimit në momentin kyç të rikandidimit, bëri që drejtori afatshkurtër i mëvonshëm (i zgjedhur pak ditë pasi Gëllçi u neutralizua me arrestim), mbase i terrorizuar nga çfarë i bënë Gëllçit nuk hodhi ndonjë hap me rëndësi dhe dha dorëheqjen shpejt. Më pas një dretor tjetër afatshkurtër, në dijeninë time u njoh në publik vetëm për shkarkimet nga puna që i bëri një morie profesionistësh. Sot, RTSH është jo vetëm pa drejtor, por edhe pa Këshill Drejtues fare. Sot e ka humbur jo vetëm shkëlqimin e përkohshëm që pati në kohën e Gëllçit, por po i bien edhe ciflat e asaj që ka mbetur. Dhe të mendodh që BE kërkon jo vetëm standarde në drejtësi, por edhe përmirësimin e medias publike.
SPAK dhe ajo avokatura sovrane u sollën si ai budallai i dobishëm që me një gur vranë dy zogj të bukur për standardet evropiane. Gëllçit i morën 10 muaj nga jeta në arrest pa standarde, dhe RTSH-së i morën lavdinë që duhej dhe mund të kishte si media publike me standarde. Thoma Gëllçi sot është mirë me shëndet e humor dhe i zgjidh vetë problemet me standardet e arrestimit, por RTSH sot është sëmurë dhe nuk do ishte habi edhe të mbyllej fare. Por, si çdo e keqe që ka një anë të mirë, edhe në këtë rast RTSH e ka akoma një vlerë në rritje dhe kjo është vlera e truallit të godinës.
#gabon #kryeministri #rastinGellci
Java News