U zvarrit për 10 vite nga gjyqtarë të… –

Kryeministri Edi Rama inspektoi së bashku me kryetaren e deleguar të bashkisë Anuela Ristani punimet për ndërtimin e Terminalit Verior të Transportit Publik. Projekti parashikon të ketë vende për nisjen e mjeteve për zonën e Jugut dhe të Veriut, vende të destinuara për zbritjen e pasagjerëve si dhe për parkim.
Kryeministri tha se ky projekt është zvarritur prej 10 vitesh për shkak të disa gjykatësve që ai i quajti si “të papërgjegjshëm dhe të pandjeshëm”.
“Ndalesë e rëndësishme sepse dua që qytetarët e Tiranës ta dëgjojnë kalvarin e këtij projekti, i cili është premtuar den baba den deri në 2015 kur u bë ndryshimi dhe u rizgjua Tirana, projekti u vendos në proces dhe u financua. Sot jemi në 2025. Ka 6 muaj që ka nisur projekti se për gati 10 vjet bashkia dhe qytetarët e Tiranës janë marrë zvarrë nga gjykatës komplet të pandjeshëm dhe të papërgjegjshëm, ashtu sikundër po mbahen familje të tëra zvarrë në Kombinat apo në pika të tjera jo vetëm në Tiranë nga gjykatës të pandjeshëm dhe të papërgjegjshëm që nuk janë qytetarë të denjë të kësaj republike dhe fatkeqësisht kanë në dorë të marrin vendime për fatet e kësaj republike që nuk duan të dinë për interesat publike, për rregullat e ligjet dhe më në fund ky terminal është në rrugën e ndërtimit.“, u shpreh Rama.
Kryetarja e deleguar e Tiranës Anuela Ristani tha se do të ketë 30 vende autobusësh për në jug dhe 19 për në veri.
“Ka 30 vende autobudësh për në jug, 19 për në veri, të cilat jo vetëm që janë të sistemuara por kanë edhe vendet e tyre të qëndrimit, parkimit dhe zbritjes së pasagjerëve. Hapësira është konceptuar me prioritet të këmbësoreve dhe hapësirave të gjelbërta.“, u shpreh Ristani.
Kreu i qeverisë shtoi më tej:
“Nga kënetë u bë vend depozitimi autobusësh, ku nuk merrej vesh kush ishte autobusi, njeriu, pasagjeri shoferi, ku ishte rruga, këneta. Tani këneta këtu u tha, kështu do ta thajmë çdo kënetë që lidhet me kënetën si këtu. Por është fatkeqësi që humbën 10 vjet për shkak të trukeve, lojërave dhe papërgjegjshmërisë së disa gjykatësve që nuk e di dmth. Tani terminalet do të jenë si në Evropë me të gjitha tabelat elektronike të nisjeve, arritjeve, me shërbime dhe biletari elektronike. Nuk do të ketë më baltë, gropa, bretkosa dhe zhaba dhe do të kalojë në një nivel tjetër i gjithë ky shërbim.”, u shpreh Rama.
#zvarrit #për #vite #nga #gjyqtarë #të
Java News