Aktualitet

Mjekimi në një trup të qelbëzuar duhet të vazhdojë –

Nga Bajram Peçi

Askush nga ata qytetarë, që u dhimset vëndi i tyre, nuk e ka vënë kurrë në dyshim se në 20 e 30 vjet përpara, gremisjen e shtetit drejt cilësimit “I dështuar”, e ka kryer sistemi i drejtësisë. Ky organ jetësor ka qenë për një pjesë tezga tregtare që siguronte fitimin më të shpejtë të mundshëm, pasurimin përmes përdorimit të autoritetit që u jepnin ligjet e shtetit, të kompetencave vendimmarrëse që përcaktonin ligjet, si në hetim ashtu dhe në prokurim. Ndërkohë, që shumë prej tyre i shërbenin qenërisht partisë që i ngriti.

Në këtë sistem që qelbëzoi çdo pore të trupit të drobitur të shtetit, gëlonin gjyqtarë e prokurorë, kundrejt të cilëve vjedhësit të biçikletave duhet t’i hiqet kapelja në respekt. Vjedhja e një prone private prej hajdutit të vogël ishte e motivuar për bukën e gojës, ndërsa grabitja e pasurisë publike dhe asaj private nga nëpunësit e sistemit të drejtësisë bëhej për pasurim, për të shkolluar fëmijët jo në Shqipërinë e mjerë, për të siguruar imobilare e mjete jetese me bollëk. Ky është ndryshim i madh! Për vjedhësin e vogël vepronte ashpërsisht ligji, ndërsa për grabitësin e madh, lëshimi, liberalizmi, “mëshira”, shfaqej nga ata që i gjykonin, do me thënë, shokët e tyre. Mos të lëmë pas dore në këtë katraurën e dështimit të shtetit edhe sekserin që bënte avokati.

këtë kalbje, ishte Partia Socialiste ajo, që nën nxitjen e kryeministrit, kërkoi, organizoi dhe përmbushi, duke i shkuar deri në fund, bindjes se do t’i jepej fund njëherë e mirë mungesës së drejtësisë në shtetin shqiptar, që na shoqëronte prej vitit 1912. Pjellë e kësaj nisme ishte ngritja e një prokurorie dhe gjykate speciale, Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion dhe Kundër Krimit të Organizuar. Si organe këto të cilësuara, për votat do të duhej të kërkohej ndihmesa e ndërkombëtarëve. Ishin ata që e detyruan opozitën të vihej në rresht për ta dhënë këtë votë, me hir apo me pa hir.

Për jetën e saj të re filluan të binin parreshtur e me nxitim të pajustifikuar ditirambet nga Partia Socialiste dhe kryetari i saj ndërsa nga opozita u kalua prej toneve të ashpëra në akuza të rënda, duke e cilësuar SPAK-un si organizatë kriminale. Kjo akuzë, që të dëgjohej mirë nga drejtuesit e SPAK, përmendej dy herë në ditë e ditë pas dite. I bënte akuzat shefi i opozitës, Sali Berisha, por edhe nga Ilir Meta, që të ndodhur nën hetim, e shihnin organin si rrezik personal.

Po cilët ishin anëtarët e këtij organizmi, nga u morën? A e patën këta integritetin e duhur për t’u caktuar në vënde që siguronin drejtësi e ndershmeri? A ishte ndërgjegjja udhëheqëse e jetës profesionale? A përmbushnin të gjithë këta të qenit roje të ligjit?

Natyrshëm, që në një trup, që po i mjekohej përmes Vettingut pore qelbi pas pore qelbi, nuk do përjashtohej mundësia që ende të kish prej tyre të papastruara! Ata, aty ishin, nuk erdhën nga ndonjë planet apo shtet tjetër, këtu u kultivuan, nga kjo klimë lëkura e tyre kish fituar shprehjen të lëmuar ose të rrudhosur!

Si qenje njerëzore aktive, prokuror e gjyqtarë, kur vjen koha u drejtohen kutive të votimit. Askush nuk di se për kë e dhanë votën? Ajo që duhej të dinte Vettingu i pastrimit (nuk jam në dieni nëse e kishin kriter) do ishte mbledhja e informacionit për veprimtarinë e tyre politike para se të vendoseshin në këto vënde. Për një pjesë prej tyre, të njohur si grupi i berishëve, dihet se kanë qënë militantë të thekur të PD-së, pjesëmarrës të flaktë në mitingje e antimitingje, të njohur si fanatikë të PD-së, falë së cilës morën diplloma dhe vënde pune.

Krijoi Viktor Hygo dhe na la përmes letërsisë një figurë si Simurdeni, simbol i ndershmërisë dhe drejtësisë. Ai e vlerësoi dhe e dekoroi heroizmin e dikujt, të cilin, pas kësaj, urdhëroi të pushkatohej si shpërdorues i detyrës. Në shekullin e 21-të këto qenje nuk ekzistojnë më, madje duhet besuar se nuk kanë ekzistuar kurrë. Kur vren sjelljen e prokurorit të Erion Veliajt, dyshon se burgosja e tij përbën një vepër arbitrare policore. Lehtësia në shpërdorimin e pushtetit që ju jep ligji, ju ka kultivuar arrogancë, deri në kufijtë kur e ndjejnë veten të paprekshëm. Është ky shkaku pse prokurori dhunon të pandehurin (nëse është i tillë) me etiketimet fyese “ndyrësirë”, “është shumë i pistë”, “gënjeshtar patologjik”, ndërkohë që gjyqtari dhe kryeprokurori, nga që nuk zgërdhijnë dot dhëmbët, nga që nuk e ndërpresin seancën, e lënë të shfryjë kundërshtarin politik të partisë ku i “pandehuri” përbënte deri tani një nga strukturat më përfaqësuese të Partisë Socialiste.

Si një trup i vetëm, pa shfaqur asnjë drojë nga opinioni i gjërë të cilit i drejtohen, KLP dhe SPAK i vihen në mbrojtje prokurorit dhe gjyqtarit. Nxjerrjen dhe botimin pjesërisht të zhvillimeve të seancës nuk i marrin në vlerësim serioz; kritikat e Edi Ramës për mungesën në sjellje të një drejtësie europiane, Dumani e vlerëson se ata duan ta paraqesin si një institucion represiv, çka për të është e dështuar.

Si është e mundur zoti Dumani që nuk pranoni se prokurori, përmes fyerjeve dhunon barazinë para ligjit? A i lejohet një prokurori të humbasë qetësinë? Erion Veliaj i akuzoi përmes postimeve në fb se po sillen si në komunizëm, por jo mor zotëri! Edhe në komunizem nuk të lejohej, madje dhe në Gestapo, si simbol i brutalitetit nazist, i famshëm për brutalitetin e tij, do mendoheshin dhe frenoheshin për të shfaqur hapur dhunën ndaj personit dhe ligjit! Nëse institucioni dhe KLP lejojnë të kalojnë këto momente, që konsiderohen si sjellje të policimit autoritar dhe nuk ndalin t’i analizojnë seriozisht, ndjehet se drejtësia vazhdon të jetë e kërcënuar, ndaj mjekimi dhe pastrimi detyrimisht duhet të vazhdojë!

Sali Berisha, që para pak ditësh ishte përbetuar se do ta shkrijë SPAK-un, dje u tha gazetarucëve të tij se “e kanë keqkuptuar”! Me gjasa, beson se organi i akuzës, pasi ai i drejtoi një lëvdatë, nuk do t’i duket më aq fajtor, kur pushteti i tij vrau 4 vetë.

#Mjekimi #në #një #trup #të #qelbëzuar #duhet #të #vazhdojë
Java News

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button