“Beteja” e opozitës për diasporën si zgjatim i halleve të Berishës në Shqipëri

Nga Mero Baze
Socialistët po e tërheqin opozitën në një betejë për humbje energjish në diasporë, e cila nuk u jep atyre asnjë shans për t’u shtuar vota. Dhe po i tërheqin me dy mënyra.
E para, që duket primare, është me angazhimin e gjithë strukturës politike të PS për takime në diasporë, kryesisht Greqi dhe Itali, dhe së dyti me Taulant Ballën. Me këtë të dytin duket se po bëjnë humor me Sali Berishën.
Për të kuptuar që Partia Demokratike po ndjek PS-në në fushatën e diasporës sa për të mos u dukur që është dorëzuar, mjafton të bësh diferencën mes infrastrukturës që socialistët kanë ngritur në diasporë për thithje votash dhe regjistrim, dhe takimeve në Facebook të krerëve të PD, të cilët, me thënë të drejtën, aq mundësi kanë. Nuk mund të bëjnë më shumë.
Por, përpos këtij halli që PD nuk ka mundësi të bëjë takime të mëdha apo të ketë një infrastrukturë patronazhimi dhe regjistrimi, Sali Berisha dhe ata pak militantë trushpëlarë që i kanë mbetur në diasporë i përdor vetëm për Taulant Ballën.
Në historinë e politikës shqiptare për 34 vjet nuk ka ndodhur kurrë që urrejtja e një lideri politik si Sali Berisha ndaj denoncuesit të tij në SPAK, Taulant Ballës, për shkak të të cilit është i pandehur, të përkthehet në përpjekje për ta ndjekur atë fizikisht këmba-këmbës në aktivitetin e tij politik. Për fatin e tij të keq, kjo është kthyer tani në një fushatë argëtuese.
E patë, për shembull, në SHBA. Tre ditë para se Taulant Balla të shkonte atje, dikush ishte tallur me Berishën dhe i kishte thënë që ka takim sot tek teqeja në Detroit. Dhe 12 trimat e tij ishin nisur në Teqe t’i prishnin mitingun. Berisha e postoi në Facebook se si ata penguan Taulant Ballën të bënte takim në Teqe.
Taulant Balla atë ditë ishte në Bresha, në Itali. Pas katër ditësh, kur vajti, ai i filloi takimet me kryetarin e Teqes e më pas me biznesmenë dhe personalitete në Michigan, por grupi i gatshëm që ishte turpëruar një herë s’po lëvizte. Më në fund, ditën e tretë, e gjetën vendin ku bëhej takimi dhe protestuan jashtë në rrugë.
E njëjta gjë ndodhi edhe në Toronto, në Kanada, ku ankesa kryesore e militantëve të Berishës është që s’po e gjejnë ku e ka takimin. Të njëjtën gjë ka bërë në Austri, Londër, Gjermani, etj.
Pra, mirë që PD është ku thërret qameti në lidhje me diasporën, por edhe ata pak njerëz që ka Berisha i do në funksion të hallit të vet, pra që të prishin takimet e armikut të tij. Me socialistët e tjerë s’ka problem, nuk i shqetëson. Në fakt, ata janë duke ia bërë gjëmën me votën e diasporës, pasi ata nuk merren me Facebook, por regjistrojnë mijëra njerëz të tyre në lista.
Dhe për të kuptuar sa keq i ka punët në diasporë dhe përse i harxhon energjitë Sali Berisha, shikoni udhëtimin e tij të deklaruar në Gjermani. E kërkoi se do të kishte një takim madhështor me emigrantët, por meqë nuk ia ka marrë përsipër askush, së fundmi pranoi se do të shkonte brenda ditës në një kongres elektoral të CDU dhe do të kthehej. A thua se ka ngelur CDU ta respektojë Sali Berishën në një kongres elektoral, kur ai vetë po çon partinë e tij drejt varrit, duke harxhuar gjithë energjitë jo kundër PS, por kundër Taulant Ballës, dhe jo për të fituar, por për t’u hakmarrë për gjëmën që i ka bërë duke e kthyer në të pandehur bashkë me dhëndrin.
Njësoj siç e përdor PD-në në Shqipëri vetëm për hallin e familjes së tij, edhe diasporën e përdor për të njëjtin hall, për hakmarrjet e tij. Dhe socialistët janë shumë të kënaqur me këtë strategji. Taulant Balla akoma dhe më shumë, sepse po ngjan si heroi i tyre që po e ndjekin pas e s’po e “vrasin” dot. Deri më 11 maj. Pastaj do të jetë nën akuzë se vodhi votat e diasporës.
#Beteja #opozitës #për #diasporën #zgjatim #halleve #të #Berishës #në #Shqipëri
Java News