Rroba, drogë e duhan, Britania e Madhe sekuestron produkte false me vlerë 870 milionë paund

Një sasi rekord e artikujve të falsifikuar me vlerë rreth 870 milionë paund është sekuestruar nga policia në Britaninë e Madhe.
Më shumë se 580 ton rroba, drogë, duhan, cigare elektronike dhe bombola me oksid azoti u gjetën në 207 kontejnerë transporti në Mançester.
Policia tha se aksioni “monumental” shënoi konfiskimin më të madh të mallrave “fake” në historinë e Mbretërisë së Bashkuar, më i madhi në Evropë në gati dy dekada dhe një nga më të mëdhenjtë globalisht.
U deshën dy javë dhe më shumë se 100 persona – polici, ekspertë markash dhe një kompani sigurie që të hapnin kontejnerët dhe të konstatonin veshjet dhe pajisjet e rreme.
Kontejnerët u gjetën në periferi të zonës Cheetham Hill, ndërsa tashmë po hetohet për burimin e mallrave false dhe kapjen e personave të përfshirë në këtë aktivitet.
Detektivi Christian Julien tha se operacioni Vulcan e vendosi policinë e Mançesterit “në tre vendet e para në mbarë botën për sekuestrim të sendeve të falsifikuara”.
“Kriminelët po fitojnë shuma të mëdha parash nga kjo tregti, e cila po derdhet për të nxitur më tej kriminalitetin, shfrytëzimin dhe mjerimin jo vetëm në Mançester, por në mbarë botën”, shtoi ai.
/f.stafa
#Rroba #drogë #duhan #Britania #Madhe #sekuestron #produkte #false #vlerë #milionë #paund