Aktualitet

Bellingham prezantohet tek Reali i Madridit, konsiderohet si Modriçi i ri

Largimi i Lionel Mesit drejt SHBA-së duke refuzuar edhe milionat e sheikëve sauditë, ka tronditur jo pak tregun e futbollistëve në Europë, pasi klubet nuk e kanë potencialin financiar të ngjashëm me klubet e Arabisë apo ato të Amerikës. Megjithatë, në Europë ka ende klube që janë në gjendje të marrin më të mirët në treg falë emrit që kanë më shumë sesa oferta që bëjnë. Lëvizjet në merkato kanë nisur dhe Reali i Madridit po i jep shenjat e një përtëritje të grupit me emrat që ka përfshirë në listë dhe sidomos me blerjen e tij të parë për këtë edicion. Tashmë është zyrtare: Jude Viktor Uilliam Belingham (29 qershor 2003) është lojtar i Realit të Madridit. Dëshira e madhe e drejtuesve të “Los Blancos” bëhet realitet. Një operacion i nisur që nga qershori i vitit 2022 me Borusian e Dortmundit, por i përfunduar një vit më vonë. Në “Bernabeu” tashmë zbarkon pasuesi i Luka Modriçit. Jude Belingham e ka bërë një vesh të shurdhër ndaj ofertave nga Premier League. Synimi i tij ishte të vazhdonte karrierën te Reali dhe kështu do të ndodhë. Çmimi që ka pranuar të paguajë Reali është 103 milionë euro, plus disa variabla, që nuk mund të kalojnë 30% të shumës fikse (134 në total). Jude Belingham është “galaktiku” u ri në “Bernabeu”, ai ka firmosur për gjashtë sezone, që do të thotë se është basti i madh i presidentit Florentino Perez. Ndërkohë, Modriç “plaku”, vijon të jetë pjesë e Realit të Madridit, pavarësisht qëndrimeve të tij “as mish e as peshk” të kohëve të fundit dhe ku u fol për një kalim në Arabi, në gjurmët e Ronaldos dhe të Benzemasë. Kapiteni i Kroacisë, Luka Modriç, ishte i pranishëm në konferencën për shtyp të stadiumit “De Kuip” të Roterdamit dhe u detyrua t’u përgjigjej shumë pyetjeve në lidhje me të ardhmen e tij në Madrid. “Sa për Realin e Madridit, i kam thënë të gjitha shumë herë dhe nuk do të doja ta përsërisja”, ka saktësuar mesfushori 37-vjeçar. Mediat spanjolle kanë raportuar se Modriç ka refuzuar 80 milionë euro në sezon nga Arabia Saudite për të vijuar në Madrid. Më tej në konferencë, Modriç ka folur dhe për gjysmëfinalen e Ligës së Kombeve kundër Holandës. “Fokusi im është te kombëtarja. Mendja ime është te ndeshja kundër Holandës. Duam finalen. Kur të ketë mbaruar Liga e Kombeve do të flas për Realin”, theksoi Modriç. Kroati ka qenë një nga futbollistët më të mirë në botë gjatë viteve të fundit dhe i vetmi që ka fituar ndërmjet Mesit e Ronaldos në 20 vjetët e fundit një “Top të Artë”, pikërisht pa Botërorit të vitit 2018 në Rusi.

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button