Bideni fshinë lotët, përqafon Harrisin – ajo i thotë “Të dua”

Presidenti i ShBA-së Joe Biden, mbajti fjalim mbrëmë në një arenë të mbushur plot në Çikago në natën e parë të Konventës Kombëtare Demokratike.
Ai aty e lavdëroi punën e tij si president, duke prekur shumë nga temat për të cilat ai bëri fushatë në 2020-tën dhe sivjet.
“Si shumë prej jush, unë i dhashë zemrën dhe shpirtin tim këtij kombi,” tha ai, në fund të një fjalimi gati njëorësh të shoqëruar nga thirrjet e zhurmshme “Faleminderit, Joe”.
81-vjeçari doli në skenë pasi u prezantua nga vajza e tij Ashley dhe gruaja e tij, Jill, e cila i tha audiencës se “e pa atë duke gërmuar thellë në shpirtin e tij” kur ai vendosi të largohej nga gara presidenciale.
Njeriu që momentalisht udhëheq shtetin më të fuqishëm në botë, pasi e përqafoi të bijën, përdori një faculetë për t’i fshirë lotët nga sytë.
Ai pastaj e preku zemrën e tij, dhe qëndroi pak më drejt në foltore, ku pastaj buzëqeshi ndërsa turma vazhdonte të brohoriste.
Bideni tutje e lavdëroi zëvendëspresidenten e ShBA-së, Kamala Harrisin, të cilës në korrik i lëshoi vendin për ta zëvendësuar si kandidate në zgjedhjet presidenciale të nëntorit.
“Përzgjedhja e Kamalas është vendimi më i mirë që kam marrë gjatë gjithë karrierës sime. Ajo është e ashpër, me përvojë dhe ka integritet të madh”.
Pasi presidenti përfundoi fjalët e tij, Harrisi dhe bashkëshorti i saj Doug Emhoff dolën për të përqafuar Bidenin dhe gruan e tij, Jill.
Pasi ata u përqafuan Harrisi i tha Bidenit “Të dua”. Ajo pastaj u ngjit në skenë me duartrokitje të forta, raporton BBC, transmeton Klankosova.tv.
“Joe, faleminderit për udhëheqjen tuaj historike dhe për shërbimin tuaj të përjetshëm ndaj kombit tonë dhe për gjithçka që vazhdoni të bëni. Ne ju jemi përgjithmonë mirënjohës”, tha 59-vjeçarja.
Ish-sekretarja amerikan e Shtetit Hillary Clinton, ofroi nderimin e saj kur u shfaq në skenë më herët në mbrëmje, duke i thënë turmës se Bideni “i kishte kthyer dinjitetin, mirësjelljen dhe kompetencën Shtëpisë së Bardhë”.
Në fund të fjalimit, Bideni citoi një varg nga një këngë.
“Më bëj të ditur në zemrën time kur të kalojnë ditët e mia, se Amerikë, Amerikë, të kam dhënë më të mirën time për ty”, u shpreh ai.
Pas përfundimit të fjalimit të tij – pas mesnatës në bregun lindor të ShBA-së – presidenti u largua nga arena dhe u nis për në Air Force One për një fluturim në Kaliforni për pushime.
Koha e tij në Çikago, në këtë Konventë Kombëtare Demokratike, matej me orë, jo me ditë. Dhe pavarësisht dëshirave të tij vetëm disa muaj më parë, koha e tij e mbetur si president do të matet me muaj, jo me vite.
Të martën, Barack Obama do t’i drejtohet turmës së kongresit, ndërsa të mërkurën radha do të jetë për Bill Klintonin – të dy këta ish-presidentë të Amerikës.
#Bideni #fshinë #lotët #përqafon #Harrisin #ajo #thotë #Të #dua
gazetablic.com