Sport

Ronaldo i lumtur në Arabi, fton edhe “yjet” e tjerë të Europës të shkojnë në kampionatin saudit

Kristiano Ronaldo nënshkroi kontratë për dy vjet e gjysmë në fillim të këtij viti, që vlerësohet nga mediat se vlen më shumë se 400 milionë euro me Al Nasr, ekip për të cilin debutoi në muajin janar. 38-vjeçari shënoi 14 gola në 16 ndeshje, por kjo nuk ishte e mjaftueshme për të ndihmuar skuadrën e tij të fitonte titullin e kampionit në Ligën Pro Saudite (SPL), pasi Al-Nasr përfundoi i dyti pas Al-Itihadit, që u shpall kampion. Ronaldo i mungoi ekipit të tij në ndeshjen e fundit të edicionit për shkak të lëndimit, por insistoi se liga ishte e fortë dhe shtoi se ka mundësi për t’u zhvilluar edhe më shumë. Ai beson se edicionin tjetër, një numër i konsiderueshëm i top-lojtarëve të Evropës do të zbarkojnë në Arabinë Saudite. “Këtu në ligën e Arabisë Saudite ka ekipe shumë të mira, me lojtarë të mirë dhe cilësorë arabë. Gjithashtu, edhe infrastruktura është e jashtëzakonshme. Kështu që, atyre u duhet edhe pak të përmirësohen për të arritur nivelin e Evropës. Sidomos gjyqtarët dhe sistemi VAR duhet të jenë pak më të shpejtë”, tha Ronaldo në një intervistë të premten. “Por, unë jam shumë i lumtur këtu dhe sigurisht që do të vazhdoj të luaj në këtë ligë. Pra, do të jem pjesë e ekipit Al-Nasr, me të cilin kam ende kontratë”, vjoi ai. Ronaldo tha se nuk pati as problemin më të vogël të përshtatej me jetën në Arabinë Saudite dhe në klubin e tij, megjithëse pranoi se kishte shumë dallime nga koha e tij që e kaloi në Evropë, ku ai luajti me mjaft sukses për ekipet e mëdha si Mançester Junajtid, Juventus dhe Real Madrid. Në Evropë, portugezi ka fituar gjithçka që mund të fitohet në nivel klubesh, ndërsa periudhën më të lavdishme të karrierës e përjetoi me fanellën e Realit të Madridit. “Në Evropë ne stërvitemi më shumë në mëngjes, ndërsa këtu në Arabinë Saudite stërvitemi pasdite ose natën. Kur fillon Ramazani, ne stërvitemi në orën 22:00 që në fillim ishte paksa e çuditshme, por pastaj u adaptova shumë mirë. Jam përshtatur menjëherë dhe nuk mund të ankohem për asgjë, pasi të gjithë më kanë mirëpritur në mënyrën më të mirë të mundshme”, nënvizoi ai. Transferimi i Mesit në ligën saudite do të ringjallte rivalitetin e madh me Ronaldon. Po ashtu, edhe ish-bashkëlojtarët e Ronaldos te Real Madridi, sulmuesi Karim Benzema e mesfushori Luka Modriç po përflitet se mund t’i bashkohet kampionit të Arabisë Saudite, Al-Itihadit. “Nëse ata vijnë, do të ishte madhështore. Në fakt, unë pres që lojtarë të mëdhenj dhe emra të mëdhenj, të më bashkohen për edicionin e ri në Arabinë Saudite. Të gjithë ata do të jenë të mirëseardhur pasi do ta ndihmonin ligën të bënte popullaritet edhe më të madh”, shtoi Ronaldo.

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button