“Maskaradë e krijuar qëllimisht”/ Rama reagon sërish për vrasjen e Egli Progës: Vetëdorëzimi i autorit, pasojë e punës së policisë

Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish pas ngjarjes së Pogradecit, e cila ka ngjallur shumë polemika.
“Ata që kanë krijuar çorbën e pistë kundër Policisë së Shtetit dhe Urgjencës Kombëtare tani flasin për deklarata kontradiktore të shtetit apo për vetëdorëzim të autorit, ndërkohë që s’ka pasur asnjë deklaratë kontradiktore apo a thua se vetëdorëzimi brenda pak orësh i autorit dhe arrestimi i tij, janë gjëra kontradiktore, kur në fakt vetëdorëzimi sikundër e tregon qartë e gjithë dinamika e reagimit përkatës është rezultat i punës së policisë, e jo një akt vullnetar nga hiçi i vrasësit!
Ky është rasti tipik i një maskarade të krijuar qëllimisht dhe si provë e maskaradës mjafton vetëm fakti, se askush nga nxitësit dhe komentatorët e maskaradës nuk iu referua asnjë çast komunikatës së Policisë Vendore të Korçës qysh në krye të herës, po së bashku iu referuan dizinformimeve e keqinformimeve të njëri-tjetrit për të helmuar sa më shumë opinionin publik.
Prandaj nuk do as mend e as kalem për të kuptuar se dalja publike e niveleve më të larta të Policisë së Shtetit dhe të Urgjencës Kombëtare, as nuk do të kishte pse të ndoshte nëse burimet e dizinformimit dhe të keqinformimit do t’i ishin referuar fakteve, e jo sajesave të njëri-tjetrit.
Dhe faktet janë në dosjet e të dyja institucioneve, madje Urgjenca Kombëtare i ka në një regjistër digjital minutat e deri edhe sekondat e thirrjeve dhe veprimeve përkatëse, mu si një pasqyrë kokëfortë ku gjithkush mund të shohë realitetin e të gjithë reagimit shtetëror dhe dallimin e tij me filmin e neveritshëm të të njëjtëve sharlatanë të paudhë, të cilat maskaradat i kanë profesion në politikë e në media”, shkruan Rama.
#Maskaradë #krijuar #qëllimisht #Rama #reagon #sërish #për #vrasjen #Egli #Progës #Vetëdorëzimi #autorit #pasojë #punës #së #policisë
Java News