Aktualitet

AP ngre padi ndaj tre zyrtarëve të Shtëpisë së Bardhë pasi iu ndalua pjesëmarrja në disa aktivitete të Trump

Agjencia e lajmeve Associated Press ngriti një padi ndaj tre zyrtarëve të Shtëpisë së Bardhë të premten pasi agjencisë së lajmeve iu ndalua pjesëmarrja në disa nga aktivitetet e Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.

AP, në padinë e paraqitur në gjykatën federale në Uashington, shprehet se mohimi i qasjes shkel Amendamentin e Parë të Kushtetutës amerikane, i cili garanton lirinë e shprehjes dhe të informimit.

Shtëpia e Bardhë filloi bllokimin e gazetarëve të AP-së nga Zyra Ovale 10 ditë më parë, për shkak të refuzimit të kësaj agjencie të lajmeve për të ndjekur urdhrin ekzekutiv të Presidentit Trump për riemërtimin e Gjirit të Meksikës në “Gjiri i Amerikës”.

Gazetarëve të AP-së iu ndalua më vonë qasja edhe në avionin presidencial Air Force One.

Organizata e lajmeve tha se ishte duke ngritur padi ndaj tre zyrtarëve të administratës së Presidentit Trump për të rifituar “të drejtat e saj për pavarësinë editoriale të garantuar nga Kushtetuta e Shteteve të Bashkuara”.

“Shtëpia e Bardhë e ka urdhëruar (agjencinë e lajmeve) Associated Press të përdorë disa fjalë (të caktuara) në mbulimin e saj, ose përndryshe do të përballet me një mohim të pacaktuar të qasjes”, tha agjencia e lajmeve AP.

“Shtypi dhe të gjithë njerëzit në Shtetet e Bashkuara kanë të drejtën të përzgjedhin fjalët e tyre dhe të mos ndëshkohen nga qeveria”, thuhet në deklaratë. “Kushtetuta nuk e lejon qeverinë të kontrollojë shprehjen. Lejimi i një kontrolli dhe ndëshkimi të tillë të qeverisë është një kërcënim për lirinë e çdo amerikani”.

Padia përmend si të paditur shefen e kabinetit në Shtëpinë e Bardhë, Susan Wiles dhe zëvendësshefin Taylor Budowich, si dhe sekretaren e shtypit të Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt.

“Do t’i shohim ata në gjykatë”, tha zonja Leavitt gjatë një aktiviteti të premten në Konferencën e Veprimit Politik Konservator në Uashington.

“Ne mendojmë se kemi të drejtë. Do të sigurohemi që e vërteta dhe saktësia të jenë të pranishme në Shtëpinë e Bardhë çdo ditë”, tha ajo.

Në udhëzuesin e saj për stilin e të shkruarit, agjencia AP vuri në dukje se Gjiri i Meksikës “e ka mbajtur atë emër për mbi 400 vite”.

“Associated Press do t’i referohet me emrin e tij origjinal, duke pranuar emrin e ri që (Presidenti) Trump ka përzgjedhur”, tha agjencia.

“Si një agjenci globale e lajmeve që shpërndan lajme në mbarë botën, AP duhet të sigurohet që emrat e vendeve dhe gjeografia të jenë lehtësisht të dallueshme nga të gjitha audiencat”.

Presidenti Trump e quajti AP-në një “organizatë të majtë radikale” të enjten dhe tha se emri i ri i Gjirit të Amerikës është “diçka për të cilën ne kemi ndjenja të forta”.

Shoqata e Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë e ka quajtur revoltues përjashtimin e AP-së nga aktivitetet e Presidentit Trump.

Agjencia ka ofruar prej 180 vitesh shërbimin e lajmeve për shtypin, televizionet dhe radiot në Shtetet e Bashkuara dhe në mbarë botën./VOA/



#ngre #padi #ndaj #tre #zyrtarëve #të #Shtëpisë #së #Bardhë #pasi #ndalua #pjesëmarrja #në #disa #aktivitete #të #Trump
gazetablic.com

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button