Aktualitet

Çfarë po ndodh me euron? Shënon rritjen më të madhe ditore që prej marsit të 2022

Euro ka vazhduar forcimin e shpejtë në kursin e këmbimit me lekun edhe ditën e mërkurë.

Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, euro u këmbye me 113.43 lekë, në rritje me 1.54 lekë krahasuar me ditën e djeshme dhe me 2.8 lekë që nga data 11 maj, kur preku minimumin historik.

Kursi i sotëm i euros është më i larti që prej fundit të muajit mars të këtij viti. Ndërkohë, luhatja ditore në rendin e më shumë se 1.5 pikëve nuk shënohej që prej fillimit të marsit të vitit të kaluar, periudhë që përkoi me shpërthimin e luftës në Ukrainë.

Sipas ekspertëve, luhatje kaq të forta ditore në kursin e këmbimit dhe rritja e marzheve të tregtimit nga agjentët e këmbimit valutor mund të shpjegohen kryesisht me faktorë psikologjikë dhe një lloj paniku që krijohet kur në treg krijohen pritshmëri të forta në një kah të caktuar.

Kursi i këmbimit në javët para zgjedhjeve lokale zbriti në nivelet më të ulëta historike. Një pjesë e mirë e mirë e agjentëve ekonomikë e lidhën këtë zhvlerësim pikërisht me zgjedhjet e përgjithshme, çka krijoi pritshmëri se rënia do të frenohej menjëherë pas zgjedhjeve.

Një pritshmëri e tillë mund të ketë ndikuar sjelljen e aktorëve të tregut dhe ndoshta edhe pozicionime të mundshme spekulative. Kur kursi zbriti pranë nivelit të 110 lekëve dhe fushata zgjedhore ishte drejt fundit, shumë subjekte mund ta kenë vlerësuar këtë si momentin më të mirë për të blerë. Kjo rriti gradualisht kërkesën për euro dhe i dha një shtysë të fortë në rritje kursit të këmbimit, sidomos në ditët pas zgjedhjeve.

Pritshmëritë e njëanshme kanë një ndikim të rëndësishëm në sjelljen e aktorëve të tregut. Në këtë rast, pritshmëria mund t’i shtyjë ato subjekte që kanë euro për të shitur të presin që kursi të rritet më tej: kjo e tkurr ofertën e valutës në treg dhe nxit më shumë rritjen e kursit.

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button