Aktualitet

PD rrezikon regjistrimin në KQZ për zgjedhjet

Partia Demokratike, partia më e madhe e opozitës, rrezikon të mos regjistrohet për zgjedhjet vendore të 14 majit. Kreu i KQZsë, Ilirjan Celibashi, paralajmëroi dje mosregjistrimin e PD-se, në rast se ngërçi i PD-së vijon. Ai u shpreh se duke qenë se duhet patjetër një zgjidhje për këtë çështje dhe jo vetëm nga KQZ-ja.

Paralajmërimi i Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, vjen 34 ditë nga afati i regjistrimit të partive në 6 mars dhe kur ngërçi ligjor se kush është kryetari i PD-së Sali Berisha apo Lulzim Basha nuk është zgjidhur.

“Nuk mundet ta injorojmë këtë situatë dhe të presim ose të themi të shohim se çfarë do të ndodhë, të shohim se çfarë do të vendosi KQZ-ja dhe pastaj të veprojmë. Partia kryesore e opozitës mundet edhe të mos regjistrohet”, deklaroi kreu i KQZ-së.

Përballë situatës ligjore kur i dorëhequri Lulzim Basha në regjistrin e partive politike është ende kryetar i PD-së dhe kur PD-ja e drejtuar nga Sali Berisha pret dy vendime, atë Gjykatës së Apelit për Kuvendin e 11 dhjetorit dhe të Shkallës së Parë për heqjen e Lulzim Bashës nga kryetar i demokratëve, Celibashi i kërkon institucioneve dhe politikës të zgjidhin ngërçin.

“Sa nuk është vonë, do të duhet që gjithkush nga pikëpamja institucionale apo edhe politike, të japi atë kontributin e vetë që kjo çështje të zgjidhet ashtu sikurse do të duhet të zgjidhet. Për sa më takon mua përgjegjësia për të administruar një proces zgjedhor, ky proces zgjedhor mos të marrë ciflosje, jo ciflosje, por duket se po merr goditje që në këtë moment ta bëjë këtë më së miri”, theksoi kryekomisioneri zgjedhor.

Për dorëzimin e listës së komisionerëve për zgjedhjet e 14 majit nga PD-ja e Sali Berishës, Ilirjan Celibashi tha se pasi të shqyrtohet legjitimiteti i saj do të ketë një vendimmarrje. Procesi i verifikimit për të zgjidhur luftën e zhvendosur të PD-së në KQZ-së do jetë në përputhje me ligjin. Kjo ka qenë përgjigja e përsëritur e komisionerit të KQZ-së. Celibashi u shpreh se edhe sfondi politik do jetë një ndër elementët që do ndikojë në gjykimin e tij për këtë çështje. Ai i garantoi se nuk ka simpati e as mbështetje për dy kampet opozitare.

“Nëse do ta bënim formale dhe unë do isha formal, përgjigja do ishte do e merrni vesh kur të vendoset. Po s’dua të bëj hipokritin dhe të them që se njohim realitetin. Qoftë edhe si individ edhe unë, këtu jetoj i ndjek lajmet kam gjykim dhe opinionet e mia. Edhe pse, kjo s’do të thotë që kur të vij puna e vendimmarrjes kjo do jetë pjesë e gjykimit tim. Kemi dy propozime për anëtar të KZAZ-ve nga zoti Indrit Sefa (PD), kemi dhe një propozim zoti Flamur Noka në cilësinë e sekretarit të përgjithshëm të PD. Në fakt jemi në proces të verifikimit të dokumentacionit mbi propozimet për anëtar të KZAZ jo vetëm të PD por edhe të partive të tjerave.

Më vjen keq që gjendem në këtë situatë. S’kemi asnjë lloj interesi dhe as një lloj simpatie për partitë, përtej komenteve. S’kemi asnjë lloj ndrojtjeje për të zbatuar ligjin. Se vendosim se kush e udhëheq PD, ne do disponojmë se kush do e përfaqësojë, për ne është vetëm një PD, ngelet për tu parë se kush e ka tagrin. Do duhet që kjo gjë duhet zgjidhur, sepse flitet për një parti kryesore të opozitës”, tha Celibashi.

Çështja më e rëndësishme që do të përcaktojë se kujt do t’i takojë vula dhe sigla zyrtare e PD, ende nuk ka një datë shqyrtimi.

Në këtë padi, ankimues është pala e Alibeajt, që i kanë kërkuar Gjykatës së Apelit që të hedhë poshtë vendimin e marrë nga gjyqtari i shkallës së parë, Agron Zhukri, i cili më 25 mars 2022 njohu statutin e dalë nga Kuvendi i Berishës më 11 dhjetor. Kjo është çështja kryesore në gjykatë, dhe nëse Gjykata pranon padinë e Alibeajt, atëherë përfundimisht vula do i mbetet atij. Por, nëse Gjykata e Apelit e rrëzon padinë e Alibeajt, në këtë rast për Berishën do të ishte fitore dhe do mund të regjistrohej ai si kryetar i PDsë. Këto përballje juridike kanë rëndësinë e tyre, ose do të kenë ndikim nëse do të ketë vendimmarrje para 6 marsit, kur është edhe afati i fundit për regjistrimin e partive dhe koalicioneve për zgjedhjet e 14 majit.

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button