AktualitetDurresi Sot

Cara – Takim me anëtarë të Shoqatës së Para dhe Tetraplegjikëve.

Kandidati për kryetar të Bashkisë së Durrësit, Igli Cara ka zhvilluar një takim me anëtarë të Shoqatës së Para dhe Tetraplegjikëve të qytetit, të cilët i kanë parashtruar problematika, me të cilat përballen në vijimësi. Për drejtuesen e kësaj shoqate, Adivije Hoxha, mungesa e aksesit në institucionet publike është një shqetësim i vazhdueshëm për këtë kategori. Pa rampa lëvizja e tyre kufizohet ndjeshëm, përfshirë edhe shërbimet dhe vizitat mjekësore.
“-Nëse nuk kemi akses, ne nuk kemi asnjë të drejtë!”- theksoi ajo, duke shtuar se për shkak të mungesës së aksesit Bashkia e Durrësit mbetet një derë e mbyllur për ta.

Edhe për familjarët, që ishin të pranishëm në këtë takim, problematikat janë të shumta, duke veçuar mungesën e parkimeve, që kthehet në pengesë për aktivitetin e tyre të përditshëm.

Gjatë fjalës së tij, zoti Cara siguroi se, jo vetëm do të zbatohet ligji i përcaktuar për këtë kategori, por do të ketë dhe reduktim të taksave dhe tarifave vendore.
“- Eshtë detyrim i Bashkisë dhe i shoqërisë t’i vijë në ndihmë këtyre shtresave në nevojë.”- nënvizoi ai.

Taksa dhe tarifa vendore 0 dhe reduktim të tarifës së ujit deri në 50% janë vetëm disa nga pikat konkrete të parashikuara në programin zgjedhor të kandidatit të koalicionit “Bashkë fitojmë”, Igli Cara, krahas qendrave, që do të ofrojnë shërbime ditore për këto kategori.

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button