Vrasja e Pëllumb Metës/ Policia e Durrësit do të kryej dy eksperimente hetimore me vajzën
Policia e Durrësit ka vendosur të kryejë dy eksperimente hetimore, për të hedhur dritë mbi mekanizmin dhe autorësinë e vrasjes së Pëllumb Metës, në shtëpinë e tij në fshatin Shënavlash të Durrësit.
Për krimin makabër, vrasjen e më pas groposjen e 49-vjecarit, janë arrestuar dy djemtë Hyseni dhe Amarildo, si dhe vajza, Hygerta Meta. Fillimisht ishte studentja e cila pranoi se kishte vrarë babain, pasi ai do të fejonte pa dëshirën e saj, më pas hetuesit dolën në konkluzionin se autor i vrasjes është djali Hyseni. Por, në gjykatë, Hygerta këmbënguli se e kreu krimin e vetme, çka i çoi hetimet në pikën zero.
Në kushte të tilla, është vendosur që vajza të dërgohet në një poligon dhe do t’i jepet një armë e të njëjtit kalibër me të cilën u krye vrasja. Ajo duhet t’iu dëshmojë hetuesve, sesi e përdori armën dhe ekzekutoi babain. Në këtë mënyrë, hetuesit do të mund të binden nëse ajo është e aftë të përdorë armë zjarri dhe të qëllojë 4 plumba. Eksperimenti i dytë lidhet me hapjen e gropës, ku u gjet trupi i pajetë i babait të 4 fëmijëve.
Pëllumb Meta u denoncua si i zhdukur nga djali Hyseni tri ditë pasi e kishin vrarë brenda në shtëpi dhe zhdukur trupin pranë kasolles. Pas zbulimit të trupit, Hygerta pranoi krimin dhe tha se babai kishte vendosur ta fejonte me një emigrant pa dëshirë. Ndërsa pretendonte se babai I kishte dhunuar në mënyrë sistematike. Policia arrestoi më pas dy djemtë e viktimës dhe ishte Hyseni djali i madh që pranoi krimin.
/f.s
#Vrasja #Pëllumb #Metës #Policia #Durrësit #të #kryej #eksperimente #hetimore #vajzën
Java News