Aktualitet

Shpërthimi në Lushnjë me 2 të vdekur e 7 të plagosur, grupi hetimor ngre dy vepra penale

Grupi hetimor i tragjedisë në Lushnjë ku shpërtheu bombola e oksigjenit, ka konstatuar dy vepra penale.

Shkelja e rregullave të punës lidhet me bombolat që përdoreshin për saldim që ishin jashtë çdo kriteri teknik dhe shpërdorimi i detyrës, që lidhet me dhënien e lejes për këtë magazinë poshtë linjës së tensionit të lartë.

Ndërkohë Gazetarja Dorjana Bezat thotë se hetimi në vendngjarje vijon, ndërsa policia ende nuk ka dalë me reagim zyrtar për veprat e mësipërme.

Roland Hoxha dhe i biri, Lidio ishin duke punuar në vinç ku me ndihmën e tij ngrinin 2 bombola oksigjeni me të cilat po kryenin saldime në pjesën e tarracës. Dyshohet se gjatë punës një bombol u shkëput nga vinçi dhe u përplas në tokë duke shkaktuar një shpërthim që shkatërroi gjithçka dhe mori jetën e të dyve.

Nga fuqia shpërthyese u shkëputën telat e tensionit të lartë 110 kv që kalonin sipër magazinës që po ndërtohej nga deputeti i Partisë Socialiste prej 2 mandatesh në Lushnje Bujar Çela, i cili mbeti i plagosur së bashku me gjashtë persona të tjerë të cilët kanë qenë duke punuar në magazinën e tij.

Të dëmtuarit u transportuan në spital për ndihmë mjekësore, ndërsa për manovratorin e vinçit Roland Hoxha i cili ndërroi jetë në vendngjarjen dhe të birin Lidio, i cili ndërroi jetë 2 orë më vonë, mjekët nuk mundën të bëjnë gjë, pasi dëmtimet ishin të konsiderueshme. Për ta ishte dita e parë e punës ne këtë kantier qe rezultoi dhe e fundit.

Magazina ku ata po punonin u shkatërrua plotësisht ndërkohë që dëme të konsiderueshme morën edhe bizneset të tjera në ketë zonë industriale si edhe disa banesa.

Hetimet do të kryhen edhe për kriteren e ndërtimit të këtij kapanoni metalik poshtë linjës së tensionit të larte 110 kv i cili sipas ekspertëve krijon induksion në një distancë deri në 3 m.

/f.s

#Shpërthimi #në #Lushnjë #të #vdekur #të #plagosur #grupi #hetimor #ngre #vepra #penale
Java News

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button