Aktualitet

Rama sulmon Metën e Berishën, i krahason me zorrën qorre dhe premton se do i largojnë me votë më 14 maj, kryeministri paralajmëron socialistët që kanë punë me drejtësinë se nuk do t’i mbrojë

Kryeministri Edi Rama u ndal në Elbasan për të prezantuar kandidatin socialist për kryetar bashkie në 14 maj, Gledian Llatjan, i cili drejton këtë qytet që nga 2019. Në takimin me qytetarë dhe militantë socialistë të Elbasanit, Rama shfryu në akuza të ashpra dhe tallje ndaj liderëve të opozitës, Sali Berisha, Ilir Meta dhe rivalin e Llatjes, Luçiano Boçin e koalicionit “Bashkë Fitojmë”. Shefi i qeverisë i rikthye premtimit të bujshëm për ndërtimin e një piste garash automobilistike të “Formula 1”. Edhe pse do ketë një kosto të jashtëzakonshme, Rama u shfaq besimplotë se ky projekt është mëse i realizueshëm. Ai i konsideroi Berishën dhe Metën si “zorrë qorre”, ndërsa ironizoi Boçin dhe premtimet e tij se do ta kthejë Elbasanin në qytet filmi, park të madh lojërash “Disneyland”, etj. Por, kryeministri u ndal si rrallëherë dhe te skandali i inceneratorëve që i ka kushtuar qeverisë së tij arrestimin e ish-ministrit të Mjedisit Lefter Koka dhe ish-Sekretarit të MM, Alqi Bllako. Duke patur parasysh se ish-vartësi i tij, Arben Ahmetaj, që po hetohet nga SPAK për 4 vepra penale për skandalin e inceneratorëve, Rama kërcënoi bashkëpunëtorët e tij se nëse do të përfitojnë në kurriz të partisë dhe qeverisë, do përballen të vetëm me drejtësinë.
Kënga tallava e fushatës, Rama kundër kritikëve: Dëgjojnë ‘zorrën qorre’
Rama shfryu ndaj akuzave dhe talljeve nga mediat dhe opozita për zgjedhjen e këngës tallava “Përpara” si kolonën zanore të fushatës së PS për zgjedhjet lokale të 14 majit. Rama i konsideroi kundërshtarët Berisha-Meta, si njerëz që prodhojnë vetëm fjalë banale, duke i quajtur zorrë qorre. Rama premtoi se socialistët dhe qytetarët shqiptarë do të ndëshkojnë sërish me votë ish-kryeministrin dhe ish-presidentin. “Ka qenë shumë fatkeqësi për ata që na u vunë mbrapa se po promovojmë tallavanë. Ata i marrshin të keqen tallavasë. Thua t’i që lexojnë Moxartin dhe thua se tallavaja i bezdis, por që ata dëgjojnë përditë se çfarë del nga zorra qorre dhe na u bezdiskan nga tallavaja dhe fjalët e një kënge meriton një përgjigje. Me muzikën këtu dhe me Tit Vullkanin këtu do të jemi drejt rrugës së gjelbërt per 14 Maj”, deklaroi fillimisht Rama.
Afera e inceneratorëve, Rama kërcënon bashkëpunëtorët dhe ish-vartësit e tij
Por, kryeministri u kujtua dhe për mega-aferën korruptive të shekullit në Shqipëri që ka kryer ai dhe qeveria e tij, 450 milionë euro të zhdukura me inceneratorët e Fierit, Elbasanit dhe Tiranës. Rama u mburr me faktin se cilësia e ajrit në Elbasan është përmirësuar së tepërmi me ndërtimin dhe funksionimin e djegësit të Elbasanit. Ai akuzoi të gjithë ish-bashkëpunëtorët të arrestuar dhe të hetuar për këtë aferë korruptive se do të përballen me ligjin, bashkë me zyrtarë të tjerë të shtetit që kanë abuzuar me detyrën për këtë rast. Kryeministri u mburr gjithashtu se drejtësia po vepron në nivele më të larta krahasuar me kohën kur Berisha dhe Meta drejtuan Shqipërinë në vitet 2009-2013, kur kujtoi skandalin e video-përgjimit “700 mijë euro” Meta-Prifti, për të cilin Meta nuk u arrestua e dënua, falë ndihmës së Berishës. “Jo po u bë inceneratori etj, etj. Pati probleme, kishte njerëz që donin të nxirrnin mjaltë nga plehrat, por Elbasani e ka tani ajrin të pastër. Ndodhin edhe këto, por me ne është shumë e qartë kontrata. Kush lëviz nga kuadrati i ligjit, i arsyes, i të mirës, i shërbimit ndaj njerëzve, i sensit patriotik të punës, se do mjaltë për të çuar në shtëpi. Thonë që po shkojnë ministra në burg dhe duhen hequr. Ata, kur vinin fletë arresti, i ruanin dhe i fshihnin. Ata doni prapë ju? Ja ku na keni ne. Ne i bëjmë edhe investimet, edhe ndëshkimet”, vazhdoi më tej Rama.
Rama nuk heq dorë nga “Formula 1” në Elbasan: Do bëhet brenda 2030
Rama u ndal te premtimi i disa kohëve më parë për ndërtimin e një piste “Formula 1” brenda vitit 2030, ç’ka nxori zbuluar dhe dëshirën e tij për të qëndruar më shumë se 4 mandate si kryeministër i Shqipërisë. Shefi i mazhorancës premtoi se shteti shqiptar po diskuton për këtë projekt me Federatën Botërore të Automobilizmit. Sipas tij, “Formula 1”do të sjellë të ardhura të jashtëzakonshme për Shqipërinë, rreth 100 milionë euro vetëm nga tifozët. “Ishim te kantieri i auto-motoparkut dhe unë ju them ne do sjellim çmimin e madh të ‘Formula 1’ në Elbasan brenda 2030. Një garë e Formula 1 ka 1 miliard shikues. Llogaritet që një garë e Formula 1 sjell mesatarisht vetëm gara, efekt direkt 100 milionë në cirkuitin nga përgatitja deri tek largimi i njerëzve që vijnë këtu. Pa llogaritur pastaj se çfarë vjen mbrapa e mbrapa, por fakti është që ai pol atje do të ketë shumë gara ndërkombëtare, do të ketë shumë evente ndërkombëtare, do të jetë një pol punësimi i një cilësie tjetër komplet dhe është i vetmi i kësaj natyre në gjithë rajonin tonë dhe prandaj ne e kemi imagjinuar këtë në Elbasan për të pasur një ofertë rajonale, ballkanike këtu në Shqipëri dhe po ju them që jemi në kontakt me autoritetet e këtyre organizmave, me FIA”, u shpreh kryeministri për projektin e “Formula 1” në Shqipëri.
Rama shënjestron Boçin: Luçi më i dobët se Luli, bënte si aktor
Rama nuk harroi të mos sulmonte as kandidatin e koalicionit “Bashkë Fitojmë” në Elbasan, Luçiano Boçi. Ai e konsideroi rivalin e Llatjas si më të dobët se ish-kryetari i PD, Lulzim Basha. Kryeministri u tall me premtimet e Boçit se do ta shndërrojë qytetin e Elbasanit në një qendër kinematografike, ndërtimin e një parku lojërash të ngjashëm me “Disneyland”, etj. “Del ky Luluçi që u distancua nga Luli dhe thotë do ta bëjë Elbasanin shesh xhirimi. 30 e kusur vite demokrat dhe voton Xhiken (Ilir Meta). Dhe për ku? Për te mali me plehra. Ky Luçi më kujton Lulin, por ky është më poshtë se Luli. E dëgjova që tha para ca ditësh: ‘Elbasani është një shesh xhirimi natyral’. Tani bënte edhe si aktor. E di që dhe ai nuk fiton, por që bën edhe kontrata. Gjithë ai zdap, Luçi dhe me një ekran nga Bari dhe flet për 400 milionë (euro)”, përfundoi fjalën e tij kryeministri Edi Rama në Elbasan gjatë prezantimit të kandidatit socialist Gledian Llatja.

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button