Foto nga vendngjarja/ Atentati ndaj biznesmenit në Shëngjin, policia: U vra në lokalin e tij

Autorët të cilët vranë biznesmenin Ardian Nikulaj në biznesin e tij afër pedonales së Shëngjinit rreth orës 13:30 janë larguar me motor.
Burime bëjnë me dije se 51-vjeçari ka qenë i vetëm në lokalin e tij “Coral” dhe dyshohet se atentatorët kanë shkuar me motor, kanë qëlluar dhe më pas janë larguar. Biznesmeni Ardian Nikulaj është vrarë sot në biznesin e tij afër pedonales së Shëngjinit.
Policia thotë se Nikulaj u ekzekutua brenda lokalit të tij në Shëngjin dhe autorët janë arratisur. Në Shëngjin janë ngritur pika kontrolli dhe është rrethuar zona ku vijojnë kontrollet për kapjen e autorit/ve.
“Rreth orës 13:30, në rrethana ende të paqarta, është vrarë me armë zjarri, në ambientet e lokalit të tij, shtetasi A. N. 50 vjeç, banues në Shëngjin.
Shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor kanë shkuar menjëherë në vendngjarje. Janë ngritur pika kontrolli dhe është rrethuar zona ku vijojnë kontrollet për kapjen e autorit/ve.Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për zbardhjen dhe dokumentin e plotë të ngjarjes”- njofton policia.
