Gabriel Escobar “shkund” Berishën: Boll nxite antiamerikanizëm, Yuri Kim zbaton porositë e presidentit Biden dhe Blinken, “non grata’ nuk ka kthim pas, për ne mbetesh e shkuara

Zëvendës Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit dhe i Dërguari i Posaçëm i SHBA për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka tronditur dje politikën shqiptare dhe ish-kryeministrin Sali Berisha. Ky i fundit po mundohet të tregojë se Partia Demokratike drejtohet prej tij, por për amerikanët kjo nuk vlen. Në një intervistë emisionin “Top Story” në “Top Channel”, ai e bëri të qartë se “non grata” nuk ka për t’u hequr. Po ashtu, diplomati e cilësoi Berishën si një të shkuar dhe ju bëri thirrje shqiptarëve të shohin nga e ardhmja. Ndërkohë i dërguari i DASH për Ballkanin, Gabriel Escobar e paralajmëroi Berishën për sulmet ndaj Yuri Kim. Nga ana tjetër, kryeministrit Edi Rama i dha goditje për aferën “McGonigal”, pasi kur u pyet si janë raportet me të, ai devijoi, duke thënë se SHBA i ka raportet me shqiptarët dhe jo me individë. Po ashtu, foli për financimet ruse. Më tej u ndal te zgjedhjet dhe paralajmëroi se do të ketë të tjerë “non grata”,m ndërsa kërkoi kandidatë të pastër.
-A është vizita juaj e fundit e fokusuar në zgjedhjet vendore apo edhe në zhvillimet në rajon, siç janë bisedimet Kosovë-Serbi? Publiku shqiptar është disi i ndarë. Shqiptarët mendojnë se Shqipëria ka një rol për të luajtur dhe nuk po e luan plotësisht, ose pjesa tjetër mendon se kjo është çështje e institucioneve të Kosovës. Cili është qëndrimi juaj në lidhje me këtë?Shiko, do të filloj me pyetjen e parë. Vizita ime këtu nuk është absolutisht e lidhur me zgjedhjet lokale. Është pjesë e konsultimeve të rregullta që kemi me aleatët e ngushtë. Dhe Shqipëria është një aleate e ngushtë. Më duhet të them se për sa i përket çështjes Kosovë-Serbi, ajo që kemi në këtë Marrëveshje të re të Normalizimit është një marrëveshje historike për marrëdhënie miqësore, konstruktive mes dy partnerëve që nuk kanë pasur shumë besim. Ajo marrëveshje, e cila u bë e mundur nga Bashkimi Europian, e mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, u mbështet pothuajse në çdo aspekt nga vendet e rajonit. Negociatat u zhvilluan në Maqedoninë e Veriut dhe nuk do të kishte ndodhur pa mbështetjen e tyre. Por ajo u mbështet edhe nga qeveritë e Shqipërisë dhe Kroacisë dhe të tjerë në rajon. Dhe ne shohim një rol shumë të rëndësishëm për Shqipërinë në stabilitetin rajonal. Dhe kjo është e vërtetuar.
-Zgjedhjet vendore. Dje mesazhet tuaja, të gjitha vizitat dhe takimet tuaja që dolën në media ishin: kujdes me kandidatët me precedentë penalë në listat e partive politike. Nëse kemi ende disa nga këta kandidatë që nuk e respektojnë këtë, a do të ketë një reagim ndryshe, të fortë nga Shtetet e Bashkuara këtë herë?Shiko, unë mendoj se të gjitha partitë politike kanë një detyrim ndaj njerëzve që të sigurohen që kandidatët të mos jenë të korruptuar, që ata të kenë në zemër interesat e njerëzve. Ne nuk jemi në gjendje të zgjedhim kandidatë apo anëtarë të partive politike. Marrëdhënia jonë me Shqipërinë është me popullin e Shqipërisë, jo me një parti dhe jo me një person. Pra, në këtë drejtim, kur pyet nëse do të ketë një reagim nga Shtetet e Bashkuara nëse partitë nuk janë të pastra, nëse kandidatët nuk i përmbushin standardet më të larta të antikorrupsionit dhe të gjitha standardet e tjera demokratike, reagimi duhet të vijë nga njerëzit, jo nga Shtetet e Bashkuara. Kjo është një punë për popullin e Shqipërisë, jo për Shtetet e Bashkuara.