Aktualitet

Oerd Bylykbashi nis fushatën për zëvendësimin e Sali Berishës me Belind Këlliçin, beniamini i kryefoltoristit kërkon fuzionin e 2 PD-ve brenda ombrellës Berishiste

Ish-kryeministri Sali Berisha, njëhershëm kreu i fraksionit anti-amerikan “Foltore” pësoi një humbje spektakolare në zgjedhjet lokale të 14 majit, ndërsa sivëllai i tij, Ilir Meta mori këshilltarët që donte dhe sa donte, ndërsa kandidatët e “Foltores” dhe demokratët pësuan goditje katastrofike. Si përherë Berisha akuzoi qeverinë se ia vodhi zgjedhjet, se ishte mafia dhe Rama, se oligarkët blenë vota. Ndërkohë që Berisha nuk i njeh zgjedhjet, kandidati në Tiranë, Belind Këlliçi me një gjuhë të kujdesshme pohoi se duhet të bëjmë analizë se pse nuk na votuan. Por çfarë prapaskenash fshihen pas këtyre dy qëndrimeve të kundërta? Burime të gazetës “SOT” bëjnë me dije se “Foltorja” po përgatitet të përdorë kartën e fundit për të shkatërruar Partinë Demokratike zyrtare. Deputeti i Partisë Demokratike Oerd Bylykbashi ka filluar së fundmi takimet me demokratët në Durrës duke premtuar largimin e Sali Berishës dhe vendosjen në krye të Belind Këlliçit, njeriu i preferuar i Berishës dhe Ilir Metës. Bylykbashi ka premtuar se do të fillojë lufta dhe me PD zyrtare që drejtimin e saj marrë Këlliçi duke i bashkuar dy PD. Pra nga pas i luan sërish fijet Sali Berisha. 

Kush qëndron pas Këlliçit?

Në 11 dhjetor 2021, Belind Këlliçi u zgjodh nga delegatët si drejtuesi i Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike, nga ku Lulzim Basha u shkarkua si kryetar i PD. Gjithashtu, marrëdhënia e tij e mirë me Ilir Metën ka ndikuar për përzgjedhjen si kandidat për Tiranën. Por jo vetëm kaq.Nga mbrapa Këlliçi nuk ka vetëm mbështetje të fortë Berishën dhe Metën, por edhe një pjesë të strukturave socialiste me në krye vetë kryeministrin Rama. Belind Këlliçi është bashkëshorti i Ana Shkrelit, vajzës së ish-zv ministrit socialist Artan Shkrelit, emër i njohur i partisë në pushtet dhe kupolës së qeverisë, i privilegjuar i Edi Ramës me poste të larta në qeverisjen e tij. Por kjo nuk është lidhja e vetme e Këlliçit me Partinë Socialiste. Ndërsa ai bënte opozitë, vëllai i tij merrte pagë nga një degë e ministrisë që drejtohet nga Belinda Balluku. Pas publikimit të listës së pagave, Reshard Këlliçi rezultoi i punësuar si këshilltar ligjor pranë shoqërisë AlbGaz me pagë rreth 1.9 milion lek të vjetra. AlbGaz është në pronësi 100 për qind të shtetit shqiptar me aksionet që zotërohen nga Ministria e Infrastrukturës e drejtuar nga Belinda Balluku. Pra edhe Edi Ramës do t’i interesonte që drejtimin e PD ta merrte Këlliçi.

Reagimet

Megjithatë kjo lëvizje e deputetit Oerd Bylykbashi vjen pas zërave në rritje nga eksponentë të lartë të PD sidomos asaj zyrtare dhe militantëve të “Foltores”, të cilët me të drejtë kërkojnë dorëheqjen e Sali Berishës pas disfatës së 14 majit. Ky i fundit ka gjetur alibi për humbjen në zgjedhje dhe refuzon të dorëhiqet, ndonëse presioni kundër tij sa vjen dhe rritet. Njëri prej tyre që ka bërë një deklaratë dje në mbrëmje është deputeti demokrat Agron Gjekmarkaj, i cili duke komentuar rezultatin e opozitës së bashkuar në zgjedhjet vendore të 2023, tha se ishte diçka e turpshme për PD. Në një intervistës televizive, ai theksoi se PD nuk mundi të merrte asnjë bashki, përballë Berishës i cili në koalicion me Metën ia doli “të rrëmbente” 7. Megjithatë, për Gjekmarkajn Berisha nuk është fitues, pasi qëndrimi i tij mban në pushtet vetëm Ramën. Sipas demokratit, është e domosdoshme një urë komunikimi pasi njerëzit janë të lodhur nga dramat e opozitës. “Është e domosdoshme të krijohet një urë komunikimi. Unë nuk jam nga ata që i them Berishës ik sepse Berisha ka mbi 500 mijë vota, por Berisha nuk është më fitues. Njerëzit janë të lodhur nga dramat e opozitës. Kemi vite që dëgjojmë të njëjtin qarramanallik. Beteja të reja, kauza të reja nuk mjaftojnë. Me qëndrimin e tij, Berisha mban vetëm Ramën në pushtet”, deklaroi Gjekmarkaj.

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button