Qysh nga nesër pa viza – Çka po e pret ekonominë e vendit?

Nga një janari i vitit 2024, Kosova bëhet pjesë e regjimit të udhëtimit pa viza, e fundit nga vendet e Ballkanit Perëndimor, raporton .
Më 19 prill në Parlamentin Evropian u nënshkrua akti ligjor për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, që shënoi edhe hapin e fundit të procesit të liberalizimit të vizave.
E për këtë, zëdhënës i Parlamentit Europian, Ojamo Janne, në një prononcim për Gazeta Blic, ka thënë se nga ana e Kuvendit, legjislacioni për liberalizimin e vizave është punë e kryer, nga të dyja institucionet pra Parlamenti dhe Këshilli.
“Nga ana e Kuvendit, legjislacioni për liberalizimin e vizave është një punë e kryer, e miratuar nga të dyja institucionet (Parlamenti dhe Këshilli)”, tha Janne për Gazeta Blic.
Tutje Janne thotë se marrëveshjet e vizave përmbajnë klauzola pezullimi, të cilat mund të aktivizohen nga Kosmisioni ose një shtet anëtar.“Thënë kështu, marrëveshjet e vizave përmbajnë klauzola pezullimi, të cilat mund të aktivizohen nga Komisioni ose një shtet anëtar”, u shpreh ai.
Por, çfarë ndikimi do të ketë liberalizimi i vizave në ekonominë e vendit?
Eksperti i ekonomisë, Safet Gërxhaliu, thotë se liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës, ka rëndësi ekonomike, psikologjike, politike dhe gjeostrategjike. Sipas tij, në aspektin ekonomik, do të ketë mundësi të kontaktit dhe forcimit të partneriteti, mundësi të teknologjisë, mundësi për arsim e depërtim në treg.
“Në sektorin e drurit kemi pasur humbje të mëdha gjatë eksportit, sepse kemi eksportuar produkte të gatshme, por në pamundësi të montimit dhe përcjelljes që do të shtonin vlerën e eksportit. Kjo do të jetë një perspektivë. Shqetësuese mund të jetë që do të ketë një fluks të madh të lëvizjes dhe një sfidë për diasporën, sepse mund të ketë edhe rënie të remitancave nga diaspora në Kosovë, sepse është e pamundur që ta bartin barrën edhe të vizitave në Kosovë edhe mbajtjes së familjarëve atje”, ka theksuar Gërxhaliu.
Kryetari i Sindikatës së sektorit privat, Jusuf Azemi, thotë se edhe pa liberalizimin e vizave ka qenë një fluks shumë i madh i qytetarëve për të ikur dhe mungon fuqia e punëtorëve, raporton Gazeta Blic.
Në një prononcim për Gazeta Blic, Azemi ka folur rreth çështjes së ikjes të punëtorëve nga vendi, ku numri i tyre është jashtëzakonisht i madh, dhe se fluksi është i njëjtë edhe kur të bëhet liberalizimi i vizave më 1 janar 2024.
“Realisht ata që e kuptojnë dhe e shohin edhe pa hjekjen e vizave fare është një fluks shumë i madh i njerëzve që duan të lëshojnë vendit. Përderisa deri në vitin 2021 kanë ikur 42 mijë e 670, ndërsa në vitin 2022 kemi mbi 60 mijë punëtor. E kemi një fluks të njëjtë sepse edhe kështu njerëzit veç qysh më herët janë përgatit. Ata sigurisht që në tre mujorshin e parë do të dalin t’a hulumtojnë tregun dhe do të kthehen e t’i presin vizat e punës, kështuqë në njëfarë forme edhe sot është jashtëzakonisht niveli i çështjes shumë i rëndë, sepse po mungon fuqia punëtore”, tha Azemi.
Ai është pyetur nga Gazeta Blic se a do të ketë krizë për ndërprerjen e prodhimeve vendore dhe për mungesë të punëtorëve, i njëjti është përgjigjur se kjo krizë ka filluar para 5 viteve, ku nuk ka punëtor të kualifikuar që dinë të menaxhojnë makinat kompjuterike.
“Kjo krizë ka filluar qysh para 5 viteve. Kosova është edhe sot në krizë sepse ka mungesë të punëtorove të kualifikuar që dinë të menaxhojnë me makinat kompjuterike po themi më bashkëkohore, pra Kosova edhe sot është në krizë për shkak të fuqisë punëtore”, përfundoi Jusuf Azemi.
//
#Qysh #nga #nesër #viza #Çka #pret #ekonominë #vendit
gazetablic.com