Aktualitet

Përfaqësoi Shqipërinë në Eurovision, Ronela Hajati: Më lanë në mes të rrugës, 4 netë i pagova nga xhepi

Ronela Hajati, e ftuar në “Më lër të flas”, ka folur për eksperiencën e saj në Eurovision dhe u shpreh se pavarësisht dëshirës së madhe për skenën, sërish u përball me shumë sfida.

Ajo foli për kritikat dhe komentet që i janë bërë:

“Në fakt, unë nuk kam folur asnjëherë për Eurovision-in si eksperiencë në media se e kam mbajtur për vete, por kur kam qenë andej kam parë që ka pasur një lumë kritikash dhe vërejtjesh për paraqitjen, veshjen”, tha Ronela, duke shtuar se jashtë shtetit, kënga ka qenë një hit.

“Këtu ma kthyen shpinën shumë njerëz dhe s’e prisja, sepse publiku mua më njeh dhe e di se çfarë natyre kam në skenë. Gjithçka ka ndodhur (në skenën e Eurovision), çdo gjest, ka qenë i mirëmenduar.

Ai nuk është një festival i këngëve kombëtare dhe nuk është se duhet të përfaqësosh traditat apo kulturën e shtetit tënd; ai është një festival ekstra modern, jashtë çdo pritshmërie dhe mbase tingëllon egoiste, por unë atje kam menduar që të bëj show për emrin tim, sepse të them të drejtën, marrëdhëniet që kam pasur atë vit me gjithë stafin e Radiotelevizionit Shqiptar kanë qenë shumë të serta”, u shpreh Ronela.

Më tej, rrëfeu më shumë mbi këtë raport:

“Unë kam dashur diçka të madhe, një skenë gjigante që të bëhej ekstra për mua, por ai buxhet nuk m’u dha kurrë dhe unë u detyrova që edhe klipin përfaqësues ta paguaja vetë”, tha këngëtarja.

Ajo tregoi për “hotelin” ku qëndroi:

“Të shihje shtetet e tjera në çfarë hotelesh rrinin, ne kemi fjetur në një motel jashtë Torinos dhe kur vinin fansat, sepse realisht ka fansa, nuk dinin ku të na gjenin, sepse aq në periferi ishte.

Ditët e fundit nuk mora kurrë një mesazh nga drejtori, asnjë “suksese”, jo se e ka taksative, por nuk kam pasur asnjë mbështetje dhe kjo është e turpshme”, tha ajo.

Ronela tha edhe se i kishte paguar vetë qëndrimin e stafit të saj për 4 ditë, sepse stafi i RTSH-së u largua:

“Duhet të rrinim edhe 4 ditë derisa se të mbaronte festivali dhe ata ikën. Unë jam detyruar të paguaj vetë hotelin për gjithë stafin, sepse stafi i RTSH-së krisi, iku dhe më la në mes të 4 rrugëve”, u shpreh ajo.

Ronela shtoi se s’e kuptoi pse ndodhi kjo eksperiencë, si dhe pranoi gabimet e saj në Eurovision:

“Unë s’e kuptoj pse ndodhi kjo sepse jam përpjekur me gjithë dashamirësinë dhe dëshirën më të madhe dhe kjo s’diskutohet sepse isha unë aty dhe kënga ime, por pavarësisht se unë pata shumë gabime që i bëra atje dhe i pranoj.

Mund të kisha lënë diçka të ngjashme me performancën që kisha lënë në RTSH, por isha shumë e gëzuar, sepse këndoja para 30,000 vetave në çdo dy ditë.

E prej gjithë atij gëzimi të madh, ti harron që s’duhet ta lodhësh zërin…kam pasur shumë gabime, por që mbështetja nga ata që vërtet të më mbështesnin ishte zero”.

Ajo tha se është e nerveritshme që njerëz të ndryshëm e kritikonin nëpër emisione për performancën e saj:

“Unë isha andej dhe shihja që bëheshin përditë emisione me burra e gra të një moshe të konsiderueshme që uleshin e flisnin për një gocë se si i kishte “turpëruar”, “ulur kokën”, “dalë e zhveshur”.

Realisht më mbushen sytë me lot dhe s’dua ta kujtoj fare këtë, por është e neveritshme të merresh me një artiste, e cila ka kënduar prej vitesh dhe të bësh emisione që janë edhe formate politke, për të sharë një artiste që është munduar pafund për të dalë atje, sepse kjo u pa, pasi kënga ime, mirë keq, është e vetmja këngë hit që ka dalë nga Shqipëria”.

“Realisht, më dhemb shpirti që ne mbështjetjen ndaj njëri-tjetrit e kemi zero”, tha ajo e zhgënjyer.

Ronela përfaqësoi Shqipërinë 2 vite më parë, me këngën “Sekret”.

/f.s

#Përfaqësoi #Shqipërinë #në #Eurovision #Ronela #Hajati #Më #lanë #në #mes #të #rrugës #netë #pagova #nga #xhepi
Java News

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button