Mourinho: Drejtuesit e Sassuolos kanë probleme personaliteti, nga drejtësia pres drejtësi

Jose Mourinho gjen gjithmonë mënyrën për t’u bërë protagonist, teksa edhe në konferencën për shtyp para ndeshjes me Fiorentinën ka vjedhur vëmendjen me deklaratat e tij.
Portugezi është rikthyer të flasë për transfertën ndaj Sassuolos dhe akuzat për arbitrin, çështje për të cilën është hapur edhe një hetim nga ana e Drejtësisë Sportive në Itali.
“Nga drejtësia Sportive pres drejtësi. Unë nuk kam vënë në dyshim cilësitë e arbitrit, por kam shprehur një mendim timin. Arbitri bëri shumë mirë dhe ia thashë edhe personalisht pas ndeshjes. Unë do të mbroj gjithmonë futbollin, sa herë të më jepet mundësia”, u shpreh portugezi.
Trajneri i Romës pati thumbuar edhe kapitenin e Sassuolos, Berardin, teksa vetë klubi emilian u ankua në media për sulmet e Mourinhos.
“Berardi është një problem i Sassuolos dhe jo i imi. Unë si trajner me më shumë se 20 vite eksperiencë, kam shprehur mendimin tim. Drejtuesit e Sassuolos kanë probleme personaliteti, pasi nuk më thanë asgjë para ndeshjes, madje më përshëndetën me përzemërsi, ndërsa të nesërmen u ankuan në media”, theksoi Mourinho.
Trajneri i Romës refuzo të flasë për arbitrin e ndeshjes së të dielës në mbrëmje ndaj Fiorentinës, duke theksuar se ka reflektuar dhe ka kuptuar që është më mirë të mos krijohet presion para ndeshjes.
#Mourinho #Drejtuesit #Sassuolos #kanë #probleme #personaliteti #nga #drejtësia #pres #drejtësi
gazetablic.com