Aktualitet

Pezullohet nga detyra Prefekti i Kukësit, shkak një hetim ndaj tij

Granit Gjana, Prefekt i Kukësit është pezulluar nga detyra. Shkak është bërë një hetim ndaj tij për “shkelje të barazisë në tendera”.

“Në vijim të hetimeve, me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin nr. 133, datë 01.12.2023 ka vendosur: Caktimin e masës së sigurimit personal ndalues të “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, parashikuar nga neni 242 i K.Pr.Penale, në ngarkim të personin nën hetim Granit Gjana, i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, parashikuar nga neni 258/2 i K.Penal, duke u ndaluar plotësisht i hetuari Granit Gjana, në ushtrimin e detyrës pranë Prefekturës Kukës”, njofton SPAK.

Hetimi për të ka nisur kur ka qenë zv/kryetar i Bashkisë së Kukësit. SPAK thotë se nga provat e grumbulluara është krijuar dyshimi i arsyeshëm se Gjana në cilësinë e zv/kryetarit të bashkisë, por me kompetencat e deleguara si titullar i Autoritetit Kontraktor Bashkia Kukës, ka konsumuar elementë të veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”.
“Ky shtetas me mosveprimet e tij, e konkretisht mospaisjen në kohën e duhur me Autorizimin për tregtimin e lëndëve djegëse, edhe pse subjekti “U. C” shpk, i kishte kryer pagesat e nevojshme dhe dorëzuar dokumentacionin pranë organit shtetëror sipas ligjit, e ka penguar OE-në të kualifikohet në dy procedurat e tenderit me objekt “Blerje karburanti”, në vlerën 21.000.0000 lekë, të organizuara nga Autoriteti Kontraktor Bashkia Kukës përgjatë vitit 2023. Për pasojë shtetasi nën hetim G. Gj. ka dëmtuar interesat e ligjshëm të personit juridik “U. C.” Sh.p.k, duke e penguar këtë subjekt për t’u kualifikuar në procedurën e prokurimit të mësipërm”, njoftoi SPAK.

Granit Gjana u emërua Prefekt i Kukësit pasi nga kjo detyrë u lirua Albert Halilaj. Halilaj u zgjodh më pas kryetar i Bashkisë së Kukësit pas zgjedhjeve që u përsëritën si pasojë e një videoskandali të ish-kryebashkiakut Safet Gjici.



#Pezullohet #nga #detyra #Prefekti #Kukësit #shkak #një #hetim #ndaj #tij
gazetablic.com

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button