“E vrava”/ Zbardhet ngjarja e plotë: Si ndodhi krimi brenda familjes në Shkozë, autori u zgjua në orën 3 dhe…

Detaja të reja janë zbardhur nga ngjarja e rëndë e ndodhur mëngjesin e sotëm në Shkozë të Tiranës, ku Migena Sinani u vra nga kunati i saj.
Mësohet se autori i ngjarjes, 43-vjeçari Roland Sinani është zgjuar rreth orës 3 të mëngjesit, dhe ka marrë armën që gjendej në shtëpinë ku banonte me prindërit e tij dhe me familjen e të vëllait.
Një orë më pas ai është futur në dhomën e gjumit ku flinte kunata dhe e ka qëlluar atë me një plumb në gjoks duke e lënë të vdekur.
Në këtë moment, e ëma e tij ka dëgjuar të shtënën dhe është ngritur menjëherë. Në korridor ka parë të biri, i cili i ka thënë vetëm dy fjalë: “E vrava”.
Sipas dëshmisë së saj, i biri ka dalë në oborr, dhe më pas është dëgjuar e shtëna tjetër, me të cilën Rolandi qëlloi veten me kokë.E ëma e Roland Sinanit ka zgjuar të shoqin, dhe ky i fundit pasi ka parë tmerrin në shtëpinë e tij, ka dalë në oborr. Ai ka marrë armën me të cilën i biri vrau nusen e shtëpisë dhe vetën, dhe e ka fshehur pas banesës.
I moshuari nuk është arrestuar nga policia pasi veprimin dyshohet se e ka kryer për shkak të sëmundjes së sklerozës nga e cila vuante, dhe jo për të mbuluar ngjarjen.Prej 5 vitesh Rolandi ishte i papunë pasi vuante nga depresioni. Madje ai shpeshherë ankohej edhe për dy fëmijët e vëllait për zhurmën që bënin, pasi shprehej se nuk i duronte dot.