Aktualitet

Pasi ndërpreu fondet për Portin e Durrësit, Brukseli i kërkon qeverisë të bëjë transparencë për marrëveshjen me sheikun arab Alabbar, zbardhet letra e Komisionerit të Zgjerimit

Bashkimi Europian i është rikthyer sërish projektit 2.1 miliard euro të transformimit të Portit të Durrës në një zonë rezidenciale dhe porti jahtesh. Komisioneri i BE për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Oliver Varhelyi ka përsëritur të njëjtin qëndrimin të Brukselit ndaj marrëveshjes së firmosur nga qeveria shqiptare dhe biznesmenit nga Emiratet e Bashkuara Arabe, Mohamed Alabbar “Durrës Jachts and Marina” si në 27 janar 2023. Diplomati madhor evropian iu përgjigj interesit të një grupi deputetësh të Partisë Demokratike, në vend të Zv/presidentes Ekzekutive për Komisionin Europian për Një Europë të Aftë për Epokën Digjitale dhe Komisioneres Europiane për Konkurrencën Margrethe Vestager. Varhelyi e konsideroi marrëveshjen e Portit të Durrësit si në kundërshtim me Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit që Shqipëria ka firmosur në BE në vitin 2006, ç’ka përbën pengesë për procesin e integrimit të vendit tonë në Europën e Bashkuar. Ky qëndrim i BE ndaj projektit luksoz të Portit të Durrësit, vjen pasi në fund të vitit të kaluar, Brukseli anuloi grantin 28 milionë euro për rikonstruksionin e kalatave 1 dhe 2 në terminalin perëndimor të portit më të madh në Shqipëri.

Letra e Varhelyi: ‘Porti i Durrësit’ ka cenuar MSA dhe parimet e konkurrencësSipas Varhelyi, qeveria shqiptare nuk ka zbatuar parimet e transparencës, konkurrencës, trajtimit të barabartë dhe mosdiskriminimit të operatorëve në tenderin për projektin e Portit të Durrësit. Po ashtu, zyrtari i Brukselit nënvizoi faktin se kjo marrëveshje duhet të respektojë dispozitat e MSA në fushën e prokurimit publik dhe ndihmës shtetërore. “Në komunikimin e tij me autoritetet shqiptare, Komisioni ka theksuar nevojën për të garantuar që projektet në bazë të marrëveshjes së lidhur në vitin 2020 ndërmjet Shqipërisë dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, përfshirë rizhvillimin e Portit të Durrësit, të jenë në përputhje me dispozitat e MSA, veçanërisht në fushat e prokurimit publik dhe ndihmës shtetërore. Të gjitha instrumentet ligjore dhe financiare të përdorura në fushën e prokurimeve publike dhe koncesioneve, përfshirë marrëveshjet ndërqeveritare të lidhura me vendet e treta për zbatimin e projekteve të përbashkëta, duhet të respektojnë parimet e transparencës, konkurrencës, trajtimit të barabartë dhe mosdiskriminimit”, shkruhet fillimisht në letrën e Varhelyi dërguar një grupi të deputetëve demokratëve.

Premtimi i BE: Grantin e anuluar 28 mln mund ta japim për Porto Romanon

Por, BE nuk ka vendosur të tërhiqet përfundimisht nga mbështetja financiare për Shqipërinë. Komisioneri Oliver Varhelyi premtoi se granti i kthyer mbrapsht 28 milionë euro për rehabilitimin e kalatave 1 dhe 2 të terminalit perëndimor të Portit të Durrësit, mund të ofrohen nga BE për zhvillimin e Porto Romanos, ku qeveria shqiptare ka planifikuar ta zhvendosë Portin e Durrësit. “Megjithatë, Komisioni është në diskutime me përfaqësuesit e qeverisë se si të përdoret shuma e kthyer në një ose në tjetrin projekt investimi. Prandaj, siç është theksuar në mënyrë të përsëritur, Komisioni është i gatshëm të mbështesë dhe të akomodojë projekte të mëtejshme investimi në lidhje me projektin e zhvillimit të ri tregtar të Porto Romanos që plotësojnë kriteret përkatëse të mbështetjes, nëse kërkohet”, mbyllet letra e Varhelyi për deputetët e PD.

Balluku: E kërkova unë anulimin e grantit 28 mln euro, s’kishte leverdi

Në 24 nëntor 2022, kur Kuvendi i Shqipërisë miratoi mes shumë orësh debate dhe përplasje marrëveshjen për ndërtimin e projektit “Durrës Jachts&Marina”, zv/kryeministrja Belinda Balluku deklaroi për anulimin e grantit 28 milionë euro për rikonstruksionin e kalatave 1 dhe 2 të terminalit perëndimor të Portit të Durrësit, se ishte ajo që ia kishte kërkuar këtë vendim BE në 2019, kur ushtronte postin e Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë. Ajo e arsyetoi këtë gjë, pasi ky grant ishte kërkuar për rritjen e kapacitetit të anijeve që do eksportonin qymyr, çimento dhe grurë dhe nuk përbënte me leverdi ekonomike. “E kam kërkuar unë me shkresë anulimin e saj me përgjegjësi të plotë në 2019,kur nuk flitej për Alabbar. 28 mln euro kërkoheshin të merreshin kredi nga BE për të rritur kapacitetet e anijeve të mallrave, për të futur në port më shumë qymyr, çimento e grurë. Nuk kishte si të merrte Shqipëria 28 milionë euro për të përmirësuar kalatën 1 dhe 2, sepse nuk bënte më asnjë sens ekonomik dhe teknik”, tha Balluku në Parlament në fund të vitit 2022.

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button