Aktualitet

“Portieri na ka shpëtuar herë tjetër”. Martini mbron gafën e Demës, Josa i falet karmës “Morëm atë që humbëm”

“Të vjen keq sepse është ndeshja e dytë, edhe me Partizanin e pësuam në sekondat e fundit ashtu si sot. Djemtë bënë sakrifica, por më pas bënë atë gabim dhe e pësuan. Normalisht të vjen keq se djemtë luftuan e dhanë maksimumin”. Edi Martini e ka të vështirë të pranojë rezultatin kundër Laçit. Sigurisht që bëhet edhe më e pakapërcyeshme nëse goli vjen në minutën e 94’ pas një gafe të portierit Dema.

Sidoqoftë, Martini bëhet mur rreth numrit 1 të tij, duke tentuar ta nxjerrë pa lagur nga një rast që kushtoi dy pikë. Në fakt, dalja e gabuar e Demës lejoi Myrtan të barazonte në fund të shtesës: “Portieri është ai që na ka shpëtuar në ndeshje të tjera, është djalë i ri, normale që do të gabojë edhe ai. Më shqetëson që topi ishte në këmbën tonë, në vend që të pastrohet zona, e fusim topin në lojë. Edhe era ndikoi. Ikën 2 pikë dhe është gjynah, se në këtë moment më të rëndësishme janë pikët se të japin qetësi e vazhdimësi”, tha tekniku shkodran.

Martini edhe pse është i fundit mendon për Final Four dhe me ngjeshjen e renditjes bën mirë. Nga vendi i katërt te i fundit janë vetëm tre pikë: “Edhe sot unë mendoj për vendin e katërt. E kam thënë që në fillim dhe vazhdoj të këmbëngul që vendi i katërt duhet të bëhet i joni. Por kur pëson në minutat shtesë, nuk ka të bëjë me kontingjentin e lojtarëve por me fatin e ndeshjeve të fundit që nuk na do. Mua vjet më vjen keq që nuk arrita në Europë, unë dua vendin e katërt, kjo me shqetëson që mos na ikin pikët, nuk e mendoj fare mbijetesën”.


JOSA: “ATË QË HUMBËM ME PARTIZANIN E MORËM SOT”

“Si u zhvillua ndeshja, pjesën e parë duhet ta interpretonim më mirë. Jo se ishim në disavantazh në fund, por nga mënyra si u shprehëm. Jam i kënaqur jo për rezultatin që dolëm 1-1, por u bë një kompensim pikësh. Atë që humbëm me Partizanin në fund e morëm sot ndaj Teutës”. Mirel Josa e merr qetësisht barazimin në Durrës, pavarësisht se Laçi i tij nuk fiton prej katër javësh: “Më pëlqeu mënyra si ekipi ngulmoi. Ndryshe do të flisnim po të mos shënonim në fund”.

Lexo më tej: Video/ Myrta shpëton Laçin në shtesë nga humbja e dytë radhazi: Teuta tradhëtohet nga portieri

Josa pastaj u ndal te faktori erë, që u ndje shumë në Niko Dovana dhe pengoi skuadrat që e kishin kundër: “Duhet të kishim kontrollin më të mirë, sidomos kur faktor bëhej edhe era dhe duhej që mos e mbanim larg topin. Edhe sulmuesi Sobouale duhet të bënte më mire”.

#Portieri #shpëtuar #herë #tjetër #Martini #mbron #gafën #Demës #Josa #falet #karmës #Morëm #atë #që #humbëm

Lapsi

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button