Life Style

Në qeli prej 21 tetorit, Jamarbër Malltezi kërkon lirinë në Apel

Jamarbër Malltezi i është drejtuar këtë të premte Gjykatës së Posaçme të Apelit, me ankimim për masën e sigurisë arrest me burg.

Dhëndri i ish-kryeministrit Sali Berisha ndodhet në burg prej së shtunës së 21 Tetorit. Ai akuzohet nga SPAK për korrupsion e pastrim parash për çështjen e privatizimit të ish-kompleksit Partizani.

Për të njëjtën çështje SPAK ka vënë nën hetim edhe ish-kryeministrin Berisha të cilin e akuzon për korrupsion dhe ka caktuar masën detyrim paraqitje e ndalim për t’u largua nga Shqipëria. Të njëjtat masa janë vendosur edhe për ndërtuesin Fatmir Bektashi.

SPAK e akuzon Jamarbër Malltezin se gjatë procedurës së privatizimit të ish-Kompleksit Partizani, procedurë e përmbyllur në vitin 2009, është përfshirë në korrupsion dhe pastrim parash bashkë me biznesmenin Fatmir Bektashi. Prokuroria e Posaçme thotë se Malltezi ka përfituar më mënyrë të parregullt nga privatizimi 5.4 milionë Euro dhe se ai është favorizuar nga ish-Kryeministri Sali Berisha, me anë të disa akteve ligjore dhe nën ligjore të nxjerra në favor të procedurës së privatizimit.

Hetimet për këtë dosje nisën në vitin 2020 pas kallëzimit të bërë nga socialisti Taulant Balla.

Në seancën për vlerësimin e masës së sigurisë të zhvilluar të martën që lamë pas, avokatët e Malltezit kërkuan që masa ndaj tij të shuhej pasi akuzat nuk ekzistojnë. Por gjykata i hodhi poshtë këto pretendime dhe vendosi të lerë në fuqi arrestin me burg.

Në përfundim të seancës avokatët thanë: “Kemi qëndrim mohues ndaj akuzave. Për aq sa kemi parë të akuzosh dikë sepse është një trashëgimtar i ligjshme i një familje të mirënjohur tiranase siç është Begeja, është shumë e guximshëm, standardi i provueshmërisë është i ulët. Me këto aludime po cenohet parimi i sigurisë juridike”.

/a.r

#Në #qeli #prej #tetorit #Jamarbër #Malltezi #kërkon #lirinë #në #Apel

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button